Kampionia në fuqi e vendit në futbollin e femrave- Ada e Velipojës është shpallur edhe “kampione e dimrit” për sezonin aktual. Ajo e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit duke qenë në vendin e parë me dy pikë më shumë sesa Juban Danja e vendit të dytë. Ada, sot ka luajtur në Kamëz me ekipin e Dardanisë dhe ka fituar thellësisht me rezultatin 11-0. Në Shkodër ka luajtur ndërkohë skuadra e vendit të dytë- Juban Danja. Ajo ka pritur ekipin e Kinostudios që mbante deri më sot vendin e tretë në renditje. Megjithatë, diferencat në fushë mes dy ekipeve kanë qenë të mëdha. Kjo është parë edhe në rezultatin përfundimtar të takimit që ka qenë 5-1 për vajzat nga Jubani. Për ta, ka shënuar dy gola kapitenia Advije Veliu, një gol trajneria- lojtare Emanuela Jaku, një Suada Jashari dhe një Kladia Rrotani. Po në Shkodër është luajtur edhe ndeshja në mes ekipeve të The Door dhe Shkëndisë së Durrësit. E para ka kaluar në avantazh skuadra durrsake me anë të Gjinit në minutën e 48-të por ka barazuar Elmedina Shega për The Door. Përfundimisht barazim 1-1. Në ndeshjen tjetër të kësaj jave në mes Tirana AS dhe Kamzës. Ka fituar Tirana As me rezultatin 3-0. Renditja përfundimtare e kampionatit pas fazës së parë është kjo:
1. Ada 19 (43-3)
2. Juban Danja 17 (25-4)
3. Tirana AS 14
4. Kinostudio 13
5. Kamza 7
6. The Door 5
7. Shkendia D 4
8. Dardania 0
FAQJA E PARE FUTBOLL FUTBOLLI I FEMRAVE Femrat: Ada shpallet “kampione e dimrit”, “Juban Danja” e dyta