Presidenti i parë dhe historik i futbollit të femrave në Shqipëri, Ferdinand Jaku ishte i ftuar mbrëmë në Star Sport. Ndër temat e ndryshme, numëri 1 i Juban Danjas foli edhe për “pikën e tij të dobët”, futbollin e femrave.

Jaku tha se pavarësisht vështirësive, për të ka qenë gjithmonë kënaqësi zhvillimi i këtij sporti. E po ashtu është krenar për arritjet e vajzave, siç ishte edhe rasti i Rosela Vases së fundmi.

Jaku tha: “Futbolli i femrave është shumë specifik dhe këtë e dinë mirë ata njerëz që merren me këtë sport. Kërkon sakrifica që dihen shumë mirë prej vitesh e shumë pasion sepse nuk ka shpërblimin e futbollit tek meshkujt.

Pavarësisht se ndoshta janë bërë përpjekjet për ta çuar lart, besoj se nuk ka pasur zhvillimin që pritej. Sepse nuk po afrohen më edhe aq shumë vajza siç u afronin më përpara dhe kjo nuk është pozitive. Por unë jam krenar që jam pjesë e këtij zhvillimi e po ashtu krenar për arritjet e disa vajzave.

Siç ishte për shembull Rosela Vasa së fundmi, që u shpall nga FSHF si talentja e vitit. E kjo patjetër na jep kënaqësinë e në njëfarë mënyre duket se shpërblen për vitet e punës tek Juban Danja. Që jo vetëm është ekipi i parë në vend, por edhe një ekip që ka prodhuar elementë të spikatur ndër vite”.
Endri ÇINARI