Kur thua Vllaznia-Partizani, ndër mend të vijnë emra që kanë lënë gjurmë te të dyja ekipet dhe një mes tyre është pa dyshim edhe Ferid Rragami. Futbollist i shkëlqyer, me histori personale të jashtëzakonshme.

Qëllimi i intervistës së “Panorama Sport”, me ish-mesfushorin e shquar ishte një analizë për ndeshjen e nesërme, por befas biseda “rrëshqet” në tema të ndryshme dhe e gjen veten duke folur për Botërorin e vitit 1986, eveniment për të cilin Rragami ka dyshime të forta se iu bë “puç” Kombëtares me urdhër nga lart që të eliminohej, pasi po të kualifikoheshin lojtarët nuk ktheheshin më nga Meksika e largët.

Mandej, Rragami rrëfen si e dënuan për arratisjen e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshemit më 1987-ën. Si e la futbollin se nuk pranoi të toleronte Besëlidhjen dhe diferencën në vrapim me Rumenigen.


Si ju duket ky sezon, si ju duket ky kampionat?

Në fakt, po të kujtojmë periudhën 1974- 1990 në disa edicione kemi luajtur me 10 skuadra. Dhe për mendimin tim, më është dukur gara më e pastër dhe më e fortë me 10 skuadra.


Kështu sikurse është sot?

Po, kështu siç është sot.

Po pse me 10 skuadra?

Sepse me 10 skuadra ka më shumë konkurrencë dhe më pak hile.

Po fakti që, 2/3 e qyteteve të mëdha, e klubeve që kanë bërë histori mbeten jashtë, a e dëmton Kategorinë Superiore kjo?

Po, i bën dëm. Por, për mua, problemi kryesor ka qenë menaxhimi i keq. Kemi parë që edhe me kaq skuadra, madje emra të mëdhenj si Dinamo, Flamurtari dhe Vllaznia kanë rënë prapë nga kategoria. Madje, edhe Tirana apo Partizani. Pse? Sepse kanë pasur probleme financiare dhe kur u fut sistemi i ri nuk e “përqafuan” mirë.

Sot që flasim janë jashtë elitës Dinamo, Flamurtari, Luftëtari, Elbasani, Besëlidhja, Tomori, Besa, Lushnja…

A nuk është pak si shumë për një futboll të varfër si ky i yni, që të mos kemi as këta emra në Superiore? Unë mendoj që pa u forcuar mirë kjo ligë e futbollit, nuk mund të ketë zhvillim apo zgjerim të numrit të skuadrave. Edhe nëse rikthehemi me një kampionat me më shumë ekipe ka mundësi prapë për abuzime. E them këtë sepse futbolli këtu nuk funksionon mbi baza të rregullta.

Është futur leku në mes, ata që kanë e përdorin përgjithësisht për objektiva të momentit. Nuk ka projekte afatgjata, që ta fusin futbollin tonë në rrugë të shëndetshme. Ne kemi luajtur futboll dikur në klube të rëndësishëm, por kemi luajtur me rregulla të qarta. E kemi filluar futbollin me ekipet zinxhir, me shkollat sportive, më para të rinjtë, me të rinjtë, me Shpresat, pra ka ecur me cikle. Sot në Shqipëri i injorojnë ciklet, investojnë pak dhe keq tek akademitë. Më duket pa kuptim sepse në futboll nuk ecet kështu.


Këtu nuk bëjnë dot cikle, thoni ju?

Disa ekipe, ato pra që kanë mundësi financiare i kanë krijuar akademitë. Por, nuk më bind ende puna që bëhet aty. Mbase e kam gabim, por duhet ta dinë të gjithë se me para xhepi një klub ecën 1 ose 2 sezone, pastaj nuk ia del dot më. Por, ama kur ke akademi, fiton të ardhura dhe balancon shpenzimet, atëherë të ardhmen e ke të sigurt. Siç bën gjithë bota fundja, nuk kemi pse bëjmë shpikje ne…


Me çfarë merret sot Ferid Ragami?

Nuk merrem më me futbollin. E bëra provë një herë, por nuk më pëlqeu. Bëra një kurs për trajner dhe nuk më pëlqen.


Pse nuk ju pëlqen?

Sepse ishin futur lekët në mes dhe kuptova se çdo gjë varej nga presidenti.


Po mirë, edhe në Itali kështu funksionon, nga presidenti varet, edhe në Gjermani, edhe në Spanjë…

E vërteta, por presidenti ka detyrat e veta, drejtori ka detyrat e veta. Këto i kanë të përcaktuara me rregulla të qarta dhe s’mund t’i shkelin si t’u dojë qejfi. Sepse ata që shkelin ligjet në vendet perëndimore përfundojnë në burg. Pas 2-3 vjetëve kapen.


Si ju duket Vllaznia e këtij sezoni?

I kam ndjekur nga fillimi të katërta ekipet që janë në krye të klasifikimit. Më mirë më është dukur Partizani, sa i takon anës fizike sepse në këtë situatë, baza është ana fizike. Vllaznia eci me një ritëm të mirë në fillim, por ishte normale që do të vinte edhe periudha e vështirë.

Si ekip i ri, pra i ndërtuar nga e para, më befasuan. Ndryshuan sistemin e mëparshëm edhe atë financiar bënë disa rregullime dhe ecën më tepër me entuziazëm. Kurse sa i takon gjendjes fizike, patën një rënie të konsiderueshme duke përjashtuar ndeshjen e fundit sepse m’u dukën pak më mirë.


Po si cilësi, si e shihni raportin e këtyre katër kryesuesve. Pra, Vllaznia, Partizani, Laçi, Teuta?

Nëse do të kishte bërë Partizani blerje më të mira në sulm, do të shpallej kampion. Fizikisht i shoh shumë mirë, taktikisht luajnë mirë, por nuk kanë sulmues të mirëfilltë. Duhet të ketë të paktën dy sulmues, sepse e ka lojën më tepër të bazuar sulmin te mesfushorët. Po të kishte pasur Partizani dy sulmues të mirë, për mua në luftë për kreun do të ishte Partizani me Laçin.


Vllaznia deri ku mund të shkojë?

Vendimtare është dhe eksperienca. Ndaj që në fillim ata kanë pasur si objektiv të kapin Kupat e Europës. E kanë shumë të vështirë për titullin. Kanë futbollistë me moshë të re dhe kanë marrë dhe goditje gjatë periudhës së krizës. Por, fundja kjo është historia e futbollit, nuk është se 9 muajt e futbollit ecin dhjam…(qesh). Ka edhe luhatje dhe këta e vuajtën. Ndoshta tani me fitoren e fundit kanë ndryshuar, të shohim.


Ju keni luajtur në kohë kur ky vend ishte shumë i varfër. Kishit entuziazmin, dashurinë e njerëzve rreth e rrotull, por atëherë edhe një palë këpucë duhej t’i siguroje me shumë vështirësi. Keni një apel për brezin e sotëm të futbollistëve, që kanë pak më shumë kushte?

Kur unë kam luajtur këpucët e futbollit i kemi pasur me taka me shollë në një periudhë. Ishte një këpucar i zoti i Klubit “Tirana”, por unë luaja me Partizanin, kështu që më duhej të fusja mik tifozët e mi që të më bënte këpucët ai i Tiranës. Met e ka pasur emrin, nuk e di a jeton sot. Dhe ai mi rregullonte këpucët edhe pse ishim kundërshtarë me Tiranën.


Nuk jua bënte ndonjëherë me hile apo nuk e merrte vesh ai që ishin këpucët e kundërshtarit…?

Jo, jo nuk e merrte vesh sepse ia çoja me tifozët, nuk shkoja vet. Dhe kur kam shkuar në Gjermani në vitin 1985, atje më dhuruan gjermanët një palë këpucë “Adidas”.


Sa kohë i mbajtët ato këpucë që ju dhanë dhuratë?

Ato këpucë i kam mbajtur 5 vjet dhe i kisha vetëm për ndeshje, jo për stërvitje.


Po në stërvitje, çfarë këpucësh vishnit?

Këpucët e zakonshme, që bëheshin në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore dhe bëheshin me një material si kauçuk poshtë dhe me vida.


Po kur zbrisnit në fushë me ato këpucë që ju falën gjermanët, besoj bëheshin pak xhelozë kundërshtarët, shokët?

Oooh, shumë. Ajo ishte si të haje bakllava…(qesh).

Ju e keni pasur numrin e këmbës 45. A gjenit kollaj këpucë?

Në jetën e përditshme i mbaja numër të madh këpucët që të rrinte këmba lirshëm, kurse këpucët e futbollit i doja nr. 43. Pastaj kur mora ato “Adidas” origjinale që na i bënë dhuratë gjermanët u lumturuam pa masë.


Çfarë ju thanë gjermanët?

Na thanë që mund të zgjidhnim “Adidas” ose “Puma”. Unë isha me Genc Tomorin edhe zgjodhëm të dy “Adidas”. Vetëm se nuk na i dhanë t’i vishnim gjatë ndeshjes. Na i dhuruan më pas dhe ne i veshëm kur luajtëm në ndeshjen me Belgjikën dhe fituam 2-0.

Nga ato që kam lexuar për ju, ju cilësonin si me një njollë në biografi që quheshin atëherë, pastaj keni refuzuar të toleroni një ndeshje kundër Besëlidhjes dhe u bëtë problem. Ma shpjegoni pak, pse “sistemi” ju shihte shtrembër?

Të them të drejtën, unë vetë nuk kam ditur gjë sepse nuk më kanë treguar gjë prindërit. Por, unë kisha dy halla të arratisura. Njëra, ishte në Belgjikë, kurse tjetra ishte në Amerikë. Kur shkova me Kombëtaren e të rinjve në vitin 1974 në Kinë, 1 muaj e gjysmë, zhvilluam atje 8 ndeshje miqësore. Pasi u ktheva më premtuan se do të më grumbullonin me ekipin Shpresa, por nuk më grumbulluan.

Më vonë, kur më grumbulluan dhe doli lista për të udhëtuar, më thirri Shyqyri Rreli dhe më thotë: “Ferid nuk do të shkosh këtë radhë sepse ka dalë një problem”. Unë u mërzita jashtë mase, por pas kësaj fola me babanë dhe ai pastaj më tregoi. Problemi ishin njerëzit e mi të arratisur. Por, një gjë është e sigurt, unë jam marrë gjithmonë me sportin dhe nuk kam diskutuar probleme të tjera.


Po në ndeshjen me Besëlidhjen çfarë ndodhi?

Isha 33 vjeç. Luajtëm fillimisht me Dinamon në Kupë dhe na mundën në ndeshjen e parë në Tiranë 2-0. Kur erdhën në Shkodër i mposhtëm ne 2-0 dhe shkoi ndeshja me penallti, do të dilnim në finale. Ishte viti 1990, atëherë skuadra toleroi dhe Dinamo na eliminoi me penallti. Pastaj erdhi radha e ndeshjes me Besëlidhjen. Kishin biseduar dhe kishin rënë dakord t’ua linin ndeshjen, pasi po të humbte Lezha binte nga kategoria.


Edhe si shkoi ndeshja?

Mua më lanë rezervë edhe pse isha kapiteni i skuadrës… Pra dukej qartë se çfarë po ndodhte. Pesë minuta para se të mbaronte pjesa e parë më fusin në fushë. Kemi pasur një sulmues në atë kohë, Barbullushi, i cili më thotë: “Këta të tërë duan ta lënë ndeshjen, por hajde luajmë ne të dy bashkë dhe ua tregojmë nëse e lënë dot apo jo…”.

Unë isha qendërmbrojtës i lirë, por dola në mesfushë me kokën time. Kap top e jepja Barbullushit, kap top e jepja atij. Ai bëri dy gola, ndërsa unë më pas sa kapa topin e parë shënova gol. Pak më vonë mora përsipër një goditje dënimi nga 40 metra larg edhe shënova edhe të dytin. E pashë që portieri kishte dalë shumë dhe e çova direkt në portë. Fituam 4-2.


Çfarë ndodhi më pas?

Pas asaj ndeshjeje, u futa brenda në dhomat e zhveshjes dhe u thashë: Ju lumshin këmbët të tërëve. Faleminderit për këtë që bëtë. Unë nga sot e tutje nuk luaj më futboll. Ju respektoj të tërëve, ua priftë Zoti mbarë dhe atë ditë lashë futbollin.


Nuk luajtët më?

Jo, nuk luajta më.

Kush ka qenë trajner atëherë?

Trajner ka qenë Astrit Hafizi. Por, nuk ishte ai problemi, pasi tolerimi ishte bërë mes lojtarëve.

Të kthehemi pak në aktualitet. Vllaznia-Partizani a e ka më madhështinë e asaj kohe kjo sfidë sot apo gjithmonë mbetet një ndeshje tërheqëse?

Ne, kur luanim futboll, kohët e fundit sidomos specialistët na e matnin kohën sa bënim aerobi, sa anaerobi, sa sprint, etj. Ishin specialistët e Institutit të Fizkulturës që e bënin këtë punë. Shkonim 8 mijë e ca metra ne, të trija këto disiplina aerobike edhe anaerobike, por edhe sprintin.

Kur luajtëm ne me Gjermaninë këtu, unë kisha bërë 8600 metra, ndërsa Rumenige që luajti këtu kishte bërë 12 kilometra. Aq ishte kapaciteti ynë dhe kjo ishte diferenca me perëndimin sepse ata vraponin 3-4 km më shumë se ne për ndeshje. Sistemi që kemi pasur ne, ndryshon me këtë sistemin që është sot, si në stërvitje, si në punën e përditshme.

A e kanë këtë përgatitje skuadrat sot?

Nuk ma merr mendja. Nuk e besoj. Mund të bëjnë 5-6 mijë metra në ndeshje, por kaq. I shoh që kur bëjnë ndonjë aksion të fuqishëm, rehabilitim e kanë shumë me vonesë, mezi kthehen në vendet e tyre. Duhet të bësh sprintin ose një aksion 30-40 metra dhe shumë shpejt duhet të rimarrësh që të futesh sërish në aksion. Por, këtu këta bëjnë një sprint edhe pastaj ngecin te zona kundërshtare.