Historia e Vllaznisë na ka sjellë emra shumë të rëndësishëm të cilët kanë lënë gjurmë me me ndeshjet e tyre të bukura, golat e shënuar dhe paraqitjet në fushën e lojës.
Njëri nga më të dashurit për tifozët në vitet ’70- ’80 ka qenë padyshim mesfushori Ferid Rragami. Ai i ka bërë të gjithë për vete me mënyrën si luante, por edhe golat e rëndësishëm që shënonte, ku më së shumti më i rëndësishmi ka qenë padyshim ai i shënuar në Vlorë në finalen e dytë ndaj Flamurtarit në vitin 1987, gol me të cilin i dha Kupën e Republikës ekipit të Vllaznisë.
E pyesim se çfarë kanë pëlqyer tifozët shkodranë tek ai që e kanë dashur aq shumë dhe jo më kot, në çdo ndeshje e thërrisnin “ujku, ujku” dhe Rragami në një prononcim për “Shkodra Sport” përgjigjet: “Ndoshta ngaqë kanë vlerësuar tek unë përgatitjen e lartë fizike dhe grintën me të cilën unë luaja në fushë.
Edhe ndonjë mangësi që mund të kisha në elementët e tjerë sportiv, e plotësoja me përgatitjen e lartë fizike. Unë nuk kam ditur të tërhiqem asnjëherë kur hyja në fushë për të luajtur”.
© shkodrasport.com