Fernando Santos kaloi tetë vite në krye të Portugalisë. Një periudhë në të cilën u fituan “Euro 2016” dhe Liga e parë e Kombeve. Ai u largua nga “Seleçao” pas humbjes në 1/8 finale të Botërorit të Katarit kundër Marokut dhe e bëri këtë i rrethuar nga polemika, pasi la në stol Cristiano Ronaldon në ndeshjen vendimtare.

Tani Fernando Santos thyen heshtjen e tij në një intervistë për “A Bola”. Trajneri portugez jep detaje nga ky kampionat “i vështirë” dhe çfarë ndodhi me CR7, pasi diçka u prish në marrëdhënien e tyre madhështore. “Nuk flasim më… Nuk e di çfarë dite ishte… Nuk flasim që nga Katari”, – tregon Fernando Santos.

Trajneri portugez tregoi më shumë detaje: “Kam pasur një marrëdhënie shumë të fortë me Cristianon. Ne u takuam te Sporting, kur ishte 19 vjeç dhe kjo marrëdhënie është forcuar që kur u takuam në kombëtare. Gjithmonë kemi shkuar shumë mirë.

Shprehja është pak e fortë, por pothuajse si baba e bir, ose vëllai i vogël dhe vëllai i madh. Ne kishim një marrëdhënie shumë të ngushtë dhe shumë të fortë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Prandaj, një gjë nuk kishte të bënte me tjetrën. Kam marrë një vendim strategjik në Katar”.

Ai u thellua në atë që e rrethonte Cristiano Ronaldon para Botërorit të Katarit: “Sapo thashë se ai është më i miri në botë. Ronaldo pati një moment në karrierën e tij, që ishte shumë i vështirë. Në gjysmën e dytë të vitit 2022 ai pati gjashtë muaj të tmerrshëm. Jetoi me atë fatkeqësi që i ndodhi shtëpisë dhe familjes së tij. Ai moment e ndikoi shumë, më pas vjen pjesa sportive.

Cristiano nuk zhvilloi përgatitje parasezonale. Ai kaloi dy muaj pa stërvitje. Më pas u kthye te Manchester United, por atje praktikisht nuk e aktivizuan. Po të më pyesni nëse Cristiano, fizikisht dhe individualisht ishte në krye, do t’ju them se po. Askush nuk kujdeset më mirë për trupin dhe performancën e tij, si ai… Nëse do të bënim teste, individualisht, ai do të ishte në krye.

Nuk kemi dyshime për këtë. Kishte shumë njerëz që mendonin se nuk duhet të luante dhe më kritikuan për këtë, por unë e njoh Ronaldon më mirë se kushdo. Gjithsesi, për sa i përket ritmit të lojës ishte në më të keqen. Nuk kishte ritëm. Ne u përpoqëm që në ndeshjet përpara Botërorit dhe më pas në ndeshjet e para të Botërorit t’i jepnim ritmin e lojës, gjë që i mungonte.

Pjesa tjetër nuk i ka munguar asgjë. Zëvendësimi i tij ishte një çështje strategjike. Në ndeshjet e para ndjeva se strategjikisht për Portugalinë ishte më mirë. Edhe për të mund të ishte më mirë. Mendimi ishte i tillë: Dua ta ndryshoj pak këtë, kam nevojë për dikë me tipare të tjera. Në fakt, ai vazhdoi të ishte shumë i rëndësishëm”.

Cristiano Ronaldo ishte zëvendësues në ndeshjen kundër Zvicrës (6-1, me ‘hat trick’ të Gonçalo Ramos) dhe në humbjen ndaj Marokut (0-1), në çerekfinale: “Edhe tani do të merrja të njëjtin vendim. Ishte një vendim strategjik. Së pari duhet të mendoj për ekipin. Strategjikisht mendova se ishte vendimi më i mirë. Unë dhe ekipi im teknik, siç e kuptoni, e diskutuam këtë çështje, nuk ishte një vendim i lehtë.

Edhe për çështje personale, miqësi e kështu me radhë, pasi Ronaldo kishte peshë të madhe. Mora një vendim strategjik dhe mendova se ishte më mirë. Nuk do të thotë që Cristiano nuk do të hynte, sepse mund të fillonte në ndeshjen tjetër. Skuadra luajti aq mirë ndaj Zvicrës sa që në ndeshjen e radhës nuk kishte kuptim të ndryshonte. Ndryshova vetëm një pjesë, William për Ruben Neves.

Gjithmonë isha i bindur se, në çdo moment, Cristiano do të hynte në fushë dhe po të ishte e nevojshme do të zgjidhte ndeshjen. Besimi im tek ai ishte i njëjtë. Të gjithë ata që ishin atje menduan se do të bëheshim kampionë bote. Bindja ime dhe e lojtarëve ishte e njëjtë si më 2016. Por kaq, nuk ndodhi kështu. Nëse do të kishim mundur Marokun, kundër rivalit të ardhshëm (Francës) Cristiano do të ishte në formacionin startues”.

Një marrëdhënie e ngushtë, që nuk është e njëjta tani, siç shpjegon Fernando Santos në “A Bola”: “Mendoj se një ditë do të takohemi, do të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe do të mendojmë: Kemi pasur gjithmonë këtë marrëdhënie. Nuk kam asnjë keqardhje nga ana ime.

E kuptoj që ai ishte i lënduar në atë kohë, ndoshta është ende i lënduar. Marrëdhënia që kishim nuk është më e njëjta. Shpresoj që një ditë situata aktuale të ndryshojë. Nëse nuk ndodh, do të bëj durim. Jam i trishtuar, por…”

Fernando Santos u largua nga Portugalia dhe pranoi sfidën për të udhëhequr Poloninë (pas gjashtë ndeshjesh u shkarkua), e cila nuk shkoi mirë. Lënien jashtë formacionit, sikurse e pohon vetë Fernando Santos, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk e përjetoi mirë: “Është e vërtetë që ditën e ndeshjes, në mëngjes, kur shkova t’i shpjegoja se nuk do të luante titullar dhe përse, ai më keqkuptoi.

A e kuptoj reagimin e tij? Patjetër. Tashmë e përmenda që ajo periudhë ishte shumë ankthioze për të, e kuptoj reagimin, sepse për të isha një mik i madh, që po e linte jashtë formacionit. Nga ana ime, marrëdhënia është e njëjtë. Ai është ende si një djalë ose një vëlla më i vogël për mua. Ai e di gjithmonë se jam këtu, kjo është e garantuar.

E di që kjo dhemb, e di që dhemb shumë, por kjo është jeta. Unë kam pasur tashmë një rast, i cili nuk është saktësisht i njëjtë, por i ngjashëm. Kisha një marrëdhënie shumë të mirë me Bruno Alves. E mora te Porto, e çova edhe në Greqi, ishte një lojtar që u rrit me mua dhe kishim një marrëdhënie fantastike. Ishte një moment kur nuk e thirra më me Portugalinë dhe Bruno mezi më foli herët e para… Më pas i sheshuam hatërmbetjet”./telesport/