Vllaznia dhe tifozët e saj janë një lidhje që nuk vdesë kurrë. Një dashuri aq e pastër dhe e përjetshme, mes ekipit të qytetit dhe mbështetësve kuqeblu, që në dekada kanë treguar që janë të veçantë. Që nga historitë që shkonin me biçikleta nga Shkodra në Tiranë e Kavajë e deri në ditët e sotme, tifozeria nuk e ka braktisur kurrë skuadrën.

E sot është një ditë e veçantë për tifozët ultras të Vllaznisë. Pikërisht Vllaznit-ultras ose siç njhen V-u në tifo skenën e futbollit shqiptar. Është përvjetori i tyre i 17-të i krijimit, duke qenë kështu tifo grupi i parë ultras në vendin tonë.

Vite plot pasion e të mbushura me gëzim apo edhe trishtim për ekipin e tyre të zemrës nga këta tifozë. Të nisura pikërisht në vitin 2005, ku pak kush e dinte çfarë ishin tifozët ultras.

Tifozë që e ndoqën skuadrën edhe kur ishte në Kategorinë e Parë e luante në “fshatrat” e Shqipërisë. Gjithmonë pranë skuadrës apo edhe qytetit duke krijuar atmosferën e duhur dhe që duhet gjithmonë në shkallët e stadiumit. E po ashtu plot sakrifica për të mos e lënë kurrë skuadrën në baltë edhe në ditët e tyre më të vështira.

E sot duhet ti urojmë këta djem që të vazhdojnë edhe për vite të tjera. E të vijojnë të jenë spektakolarë dhe të veçantë, siç vetëm Vllaznit-ultras dinë të jenë në stadiumet e mbarë vendit.
Endri ÇINARI