Bashkia e Korçës vijon të mbajë një peshë kryesore në aspektin financiar sa i përket ekipit të Skënderbeut. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Korçës është votuar unanimisht pro për rritjen e fondit që bashkia akordon çdo vit për bardhekuqtë, duke e kategorizuar në zërin “dieta dhe shërbime”.
Këtë vit, me buxhetin e 2025-ës, Bashkia e Korçës i ka akorduar klubit të futbollit shumën prej afro 390 milionë lekësh të vjetra për 10 muaj aktivitet. Te ky fond përfshihet edhe kontributi që institucioni jep për akademinë e Skënderbeut.
Sipas medias së shkruat kjo shumë do të kalojë si pagesë mujore për lojtarët dhe stafin bardhekuq. Në total janë 30 persona të regjistruar që në përputhje me listën e federimeve të dorëzuar në FSHF, do të përfitojnë një pagesë mujore prej 575 mijë lekësh.
Me këtë fond të dedikuar për ekipin e parë të Skënderbeut, Bashkia e Korçës merr përsipër pagesat për 10 muaj për lojtarët kur ata janë në aktivitet, duke mos përfshirë dy muajt e pushimit gjatë verës, pas mbylljes së kampionatit. Në këto kushte, për presidentin Ardjan Takaj, i cili ka shumicën e aksioneve në klubin Skënderbeu, vjen një ndihmesë jo e vogël nga ana e pushtetit vendor, që mban një peshë të rëndësishme sa u takon pagave të futbollistëve dhe stafit.
Është e qartë se Bashkia e qytetit të Korçës, që disponon ende 25% të aksioneve të Skënderbeut, vijon të jetë një mbështetës i rëndësishëm financiar për klubin. Ky institucion mbulon një pjesë të pagës mujore që futbollistët bardhekuq marrin në bazë të marrëveshjes së arritur me presidentin Takaj, që ligjërisht ka 75% të aksioneve në klubin korçar.