15-prilli ka qenë një ditë tepër e veçantë dhe e shënuar për Anton Shkozën, njeriun që themeloi për herë të parë sportin e xhudos në Shqipëri. Pikërisht në Vau-Dejës, aty ku është edhe kryeqendra e këtij sporti, nën kujdesin personal të Mjeshtrit të Madh, Anton Shkoza, 30-vite më parë u hap shkolla e parë e xhudos.
Në këtë ditë të shënuar krahas autoriteteve të ndryshme lokale dhe qëndrore, i pranishëm ka qenë edhe Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki. Ambasadori japonez ka mbetur tepër i befasuar për sakrificat e bëra në gjithë këto vite nga Anton Shkoza me familjen e tij dhe krahas përgëzimeve vendosi t’i ofrojë ndihmën dhe mbështetjen në bazë materiale dhe aspekte të tjera, të cilat pritet të bëhen realitet në ditët në vazhdim.
Në fakt, për Anton Shkozën, ish-kampionin e madh të xhudos shqiptare, prej shumë e shumë vitesh ky sport është jeta e tij. Ai konsiderohet një legjendë e gjallë e xhudos shqiptare dhe falë bashkëpunimit edhe me tre fëmijët e tij, Aurora, Luigj dhe Xhovani Shkoza, vijojnë të drejtojnë në këtë sport me shumë pasion dhe profesionalizëm ekipet e tyre të Vllaznisë në Vau-Dejës.
Poashtu, Anton Shkoza ua ka trashëguar pasionin dhe traditën e këtij sporti tre fëmijëve të tij, Aurorës, Luigjit dhe Xhovanit, që të tre kampionë dhe trajnerë shumë të suksesshëm në vitet e fundit, pasi me ekipet e tyre janë kampionë të padiskutueshëm kombëtar dhe kanë “korrur” sukses shumë herë edhe me medalje ndërkombëtare, të fituara nga sportistë të ndryshëm të skuadrave të tyre të xhudos.
Padyshim, një gjë e tillë është për t’u marrë shembull nga shumëkush dhe ndoshta Anton Shkoza me fëmijët e tij, Aurorën, Luigjin dhe Xhovanin janë një shembull tepër pozitiv për t’u ndjekur në Shkodër dhe në Shqipëri.
Maringlen ZHIVANI