Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, në një mbledhje me Federatat e Sportit dhe sportistët, ka folur për buxhetin e sportit, i cili për këtë vit është ulur në 750 milionë lekë. Ylli deklaroi se ky buxhet është shumë i ulët, ndërsa shtoi se sportistët nuk duan lëmoshë.

Ai tha se zgjidhja për rritjen e buxhetit, do të ishte hapja e basteve, për të cilat tha se duhet të kontrollohen nga qeveria, njëjtë siç bën edhe Italia.

Buxheti për 25 federata është vendosur 750 milionë euro. Këta sportistë që janë këtu, nuk duan lëmoshë. Këta e përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet, si askush tjetër, Ne duhet të kemi vëmendjen për sportin. Nuk mund të vazhdojmë me buxhet 750 milionë lekë. Qeveria mund të thotë se janë krizë dhe luftë, por sportistët e kanë shumë të shkurtër jetën. Këta kërkojnë përkushtimin e qeverisë.

Kompanitë e basteve, qeveria me të drejtë i mbylli, por hapja e tyre mund të shpëtojë sportin. Ne duam t’i japim mundësi qeverisë, që kompanitë e basteve t’i komandojë qeveria, jo privati. Janë miliona euro, që luhen sot live. E dinë të gjithë këtë, e dinë deputetet dhe kryeministri. Bastet sportive duhet të formalizohen.

Për bastet sportive, që ushtrojnë aktivitetin e tyre online, Ylli u shpreh se janë lekë që i pa krimi dhe janë ta pafiskalizuara.

Janë miliona lekë që i ka krimi, i kanë njerëzit e tjerë që janë të pafiskalizuar, që janë para droge, janë para të pista, të gjithë e dimë dhe asnjë nuk flet. Ne nuk duam t’i nxjerrim si vitet e kaluara, që me medalje dhe kupa të bëjnë grevë para qeverisë. Në duam t’i sensibilizojmë qeverinë.

Ne kemi për detyrë të sensibilizojmë qeverinë dhe opinionin publik, këto para të kontrollohen. Paratë e basteve të kontrollohen nga qeveria. Sporti është cilësi jete të nderuar. Është diplomaci, është shëndet, që i largon të rinjtë nga droga dhe nga veset e këqija.

Ylli bëri një krahasim me Kosovën, aty ku buxheti i sportit është 7 milionë dollarë dhe tha se kjo që ka bërë qeveria është e pafalshme.

Mua nuk më duhen zyrat dhe një projekt 5 milionë dollarë, nëse nuk ka buxhete për federatat. Sot të gjithë të firmosin një peticion, që të ulemi me qeverinë. Italia merr miliarda lekë nga kompanitë e basteve dhe i komandon qeveria. Kaq të pasur jemi ne, që lekët që vijnë nga këto, t’i hedhim poshtë. Kjo është e pafalshme! Nuk mund ta pranojmë si njerëz të sportit, që të heshtim. Sporti ka shumë probleme, por nuk i zgjidhim dot në këtë tavolinë. Sot jemi mbledhur për buxhetet.

Qeveria e ka shumë kollaj nëse jemi të ndarë, por ne duhet të jemi të bashkuar. Nuk duam ta bombardojmë ministrinë, por na duhen si partnerë. Nuk e pranoj dot unë që Kosova të ketë buxhet 7 milionë dollarë, ndërsa ne 750 milionë lekë.