Qeveria e futbollit botëror vendosi që të mos penalizojë dy futbollistët e përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, për festën me shqiponjë në suksesin ndaj Serbisë, diçka të cilën serbët e quajnë një skandal të përmasave të mëdha.

Mediat me qendër në Beograd nuk e kanë pranuar lehtë kalimin me vetëm një gjobë simbolike për dy lojtarët me origjinë kosovare, si dhe kapitenin Lishtajner që iu bashkua gëzimit për rrjetën “in extremis”.

“Një tjetër skandal nga zyrat e FIFA-s. Serbët dënohen më shumë se shqiptarët”, shkruhet e përditshmja Kurir në versionin e saj “online”, ndërsa pretendohet për standarde të dyfishta.

Në të njëjtën linjë edhe “Informer”: “Ofendimet e Xhakës dhe Shaqirit kushtojnë vetëm 20 mijë franga”.

Gjithashtu, nënvizohet pabarazia e gjobave ndërsa të gjithë në Serbi prisnin që lojtarët me origjinë shqiptare të mos luanin në ndeshjen e fundit në grup.

Por FIFA ka çliruar kombëtaren zvicerane nga ankthi dhe tani dy lojtarët më të mirë të saj do të jenë të gatshëm ndaj Kosta Rikës në përballjen e 27 Qershorit, në orën 20:00.

Ndërkohë, Federata Serbe e Futbollit është gjobitur 54 mijë franga, ndërsa nga 5 mijë secili janë gjobitur Presidenti dhe trajneri i përfaqësueses Mladen Krstajiç për komentet në mbrëmjen e errët të Serbisë në Kalinigrad.