FIFA vazhdon të ecë përpara me planin e saj për të zhvilluar çdo dy vite Kampionatin Botëror. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, insiston që të bëjë një gjë të tillë sa më parë realitet si pjesë të planit të tij për t’u rizgjedhur dhe për këtë arsye ka bërë të qartë se përfitimet ekonomike të Federatave, sidomos ato të vogla, do të ishin kolosale me këto aktuale.

Grupi i punës i FIFA-s ka dalë në konkluzionin që vetëm për ndryshimin e kalendarëve ndërkombëtare, vende të ndryshme mund të kishin probleme financiare me sponsorë apo kontrata të ndryshme. Por FIFA mendon se të ardhurat do të kalonin ndjeshëm humbjet e për këtë arsye, është gati të sigurojë financime e fonde deri në 25 milionë dollarë për secilën federatë.

“Jemi këshilluar nga ekspertë të pavarur se një ndryshim te një Kupë Botei çdo dy vite, do të sillte të ardhura të kombinuara deri në 4,4 miliard dollarë në ciklin e parë katërvjeçar, me këto fonde që do t’i shpërndaheshin 211 federatave anëtare”, tha Infantino.

“Këto të ardhura do të shpërndaheshin si fonde solidariteti që të lëviznin nga niveli aktual prej rreth 6 milionë dollarësh për cikël, deri në 25 milion dollarë mesatarisht për çdo anëtar të FIFA-s në ciklin e parë katërvjeçar”, tha presidenti i FIFA-s.

Sipas planit, çdo federatë do të përfitonte deri në 16 milionë dollarë në katër vite, për të mbuluar shpenzimet dhe ndryshimet e kalendarit ndërkombëtar, për të siguruar që Botërori të zhvillohet çdo dy vite. Ndërsa projekti “Forward” do të kalonte nga 4,5 milion dollarë për cikël, në 9 milion dollarë fonde që kryesisht përdoren për projekte e investime.

Kështu, edhe Shqipëria do të përfitonte 25 milionë dollarë çdo katër vite nga ky projekt madhor. Por problemi në këtë moment është se Shqipëria i është bashkuar votës unanime të UEFA-s, e cila është kundër këtij plani të Infantinos.