Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar sot një raport që tregon një rritje të numrit të ofendimeve që lojtarët kanë pësuar në rrjetet sociale gjatë ndeshjeve ndërkombëtare.
Pesë muaj përpara Kupës së Botës në Katar, FIFA bashkoi forcat me Federatën Ndërkombëtare të Lojtarëve (FIFPO) për të hartuar një plan për të mbrojtur ekipet, lojtarët, gjyqtarët dhe tifozët nga fyerjet në mediat sociale, tha FIFA në një deklaratë.
Raporti është publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Gjuhës së Urrejtjes. Më shumë se 400,000 mesazhe të postuara në mediat sociale gjatë gjysmëfinaleve dhe finaleve të Kampionatit Evropian 2021 dhe Kupës së Kombeve në Afrikë 2022 u anketuan.
“Më shumë se gjysma e lojtarëve kanë marrë fyerje që vinin kryesisht nga bashkatdhetarët e tyre. Komentet homofobike (40 përqind) dhe raciste (38 përqind) përbëjnë shumicën e rasteve,” thuhet në deklaratë.
FIFA dhe Fifpro kanë vendosur të lançojnë shërbimet e moderimit, të cilat do të përdoren gjatë garës. Ky algoritëm, i cili zbatohet si për futbollin e meshkujve ashtu edhe për femrat, do të zbulojë automatikisht gjuhën e urrejtjes të pranishme në bazën e të dhënave të tij dhe mesazhi do të jetë automatikisht i padukshëm për marrësin.
“Është detyra jonë të mbrojmë futbollin, dhe në këtë mënyrë edhe lojtarët. Fatkeqësisht, po shohim një trend në rritje të numrit të mesazheve fyese. Kjo formë diskriminimi, si gjithë të tjerat, nuk ka vend në futboll”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infatino.
FIFA dhe Fifpro gjithashtu duan të ofrojnë mbështetje profesionale dhe rekomandime për shëndetin mendor për të gjithë lojtarët./newsport/