Shpeshherë jemi mësuar të shohim në elitën e futbollit shqiptar e jo vetëm, transferime të çuditshme mes skuadrave jashtë merkatos, nëpërmjet klauzolash të çuditshme huazimi të cilat lejohen nga FSHF duke shkelur çdo lloj rregulli sa u përket afateve të merkatos. Që nga ky vit, gjëra të tilla nuk do të ekzistojnë më dhe shkak është bërë një endnim i dalë së fundmi nga FIFA.
Kjo e fundit, ka kuptuar se përtej transferimeve ndërkombëtare, ka ende vende ku transferimet brenda kampionateve bëhen jashtë çdo norme dhe nuk ka ende një sistem për të verifikuar realisht lëvizjet e lojtarëve nga një klub në tjetrin. Për këtë arsye, me vendimin e publikuar më datë 1 korrik dhe që u është shpërndarë federatave, FIFA ka bërë hapin e radhës duke detyruar të gjitha Federatat që të krijojnë sistemin elektronik kombëtar dhe çdo futbollist të jetë i pajisur me numrin e tij të identifikimit brenda sistemit të FIFA-s.
Në këtë mënyrë, çdo lloj transferimi do të jetë lehtësisht i kontrollueshëm nga FIFA, për të parë nëse implementohen rregulloret e saj apo jo, apo nëse ka shkelje të tjera si ndryshime datëlindjesh e të dhënash për lojtarë, gjëra që ndodhin rëndom në shumë vende të botës.
Njëkohësisht, çdo gjë bëhet më e thjeshtë edhe në administrimin e çështjeve për shqyrtim kur palët shkojnë për të zgjidhur para ndërkombëtarëve çështje kontraktuale. Nëpërmjet aksesit në sistemin e të dhënave kombëtare, FIFA do të ndjekë çdo lloj lëvizje, duke dhënë më shpejt dhe në mënyrë efikase vendimet.
Klubet duhet të fillojnë implementimin nga 1 tetori i këtij viti, ndërsa sistemi kombëtar do të jetë i detyrueshëm për çdo federatë që nga 1 qershori i vitit 2020. /vipsport/