FIFA ka premtuar se do të hetojë për dyshimet për dopingun në futbollin rus para se të nisë Botërori 2018. Një vendim i tillë do të mundë të dëmtonte edhe më tepër përfaqësuesen e Rusisë, që edhe ashtu është e dobët. Po ashtu, në mënyrë të paevitueshme do të ngrihen pyetje se pse Rusia po lejohet të organizojë Botërorin. Me kreun organizativ të “Rusia 2018” pranë detyrimit që të braktisë pozitën për shkak të suspendimit të përjetshëm nga Lojërat Olimpike, për shkak të rolit të tij në dopingun sistematik të sponsorizuar nga shteti, premtimi i FIFA-s për të hetuar dopingun në futboll është një gjë shumë e rëndësishme.

FIFA do t’i kërkojë Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA) që t’i lejojë qasje me prioritet në testimet e reja, që janë zhvilluar padyshim për të zbuluar nëse shërbimi i sigurisë i Rusisë (FSB) ka njollosur mostrat për të siguruar që sportistët dhe sportistet e Rusisë të marrin doping pa u zbuluar, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Me testimet e reja mund të zbulohet nëse shishet janë hapur ilegalisht, që është një shkelje.

Sportet dimërore janë me prioritet për testimet e reja, pasi Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang të Koresë së Jugut mbahen në shkurt.

Por profesori Richard McLaren, që ka hetuar dopingun rus për WADA-n, ka identifikuar 34 mostra të futbollistëve që “mund të kenë përfituar nga manipulimi”, përfshirë çdo anëtar të skuadrës së Rusisë që mori pjesë në Botërorin 2014 në Brazil. FIFA dëshiron që ato mostra të testohen muajin e ardhshëm.

“FIFA formalisht ka kërkuar nga WADA që t’i jepet prioritet për këto analiza forenzike të mostrave të ruajtura. Në përgjigjen e saj WADA ka informuar FIFA-n se prioriteti do të caktohet nga ekipi i ekspertëve i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Është në interes të FIFA-s që procedura të tilla të finalizohen sa më herët të jetë e mundshme”, është thënë nga zyra e medieve e FIFA-s.