Një turne që “mungonte”. Kupa e Botës për Klube 2025 do të jetë diçka e re dhe epokale për botën e sportit, të paktën sipas Romy Gai, Drejtor i Biznesit në FIFA. Ideja për të vënë përballë klubet më të mira të kontinenteve të ndryshme ka lindur prej kohësh:

“Kupa e Botës për Klube ishte një nga idetë e para për të cilën presidenti Gianni Infantino filloi të punonte në vitin 2016”, zbulon Gai, i cili më pas thekson boshllëkun që kjo garë do të plotësojë:

“Është objektiv që mungonte, një mundësi për klubet që të përballeshin në nivel ndërkombëtar në një turne që të legjitimonte vërtet kampionin e botës”.

Risitë

Formati i ri nuk është e vetmja risi e Kupës së Botës për Klube. Gai, gjatë eventit “Një fenomen botëror – FIFA Club World Cup 2025” në Universitetin Luiss të Romës, organizuar në bashkëpunim me Tuttosport, ka zbuluar edhe disa elemente të reja:

“Ky produkt do të jetë inovativ. Gjatë turneut, do të testohet përdorimi i kamerës trupore për arbitrat, në mënyrë që të shohim me sytë e tyre se çfarë ndodh në fushë”.