FIFA është gati që të vendosë në zbatim një ide të re, për të larguar VAR-in siç e njohim aktualisht. Presidenti i Komitetit të FIFA-s për Arbitrimin, Pierluixhi Kolina, ka shpjeguar se tashmë po mendohet një alternativë ndaj sistemit aktual, për të përshpejtuar ritmin e lojës dhe për të shmangur polemikat. Ideja e re, është ajo e VAR-it me kërkesë nga trajnerët.

Deri tani, VAR- ka parë vendimet e dyshimta të gjyqtarëve në monitor me përsëritje dhe ngadalësim. Më pas ia ka komunikuar situatën gjyqtarëve duke rekomanduar rishikim të rastit apo një vendim. Kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Modeli i ri që ka testuar FIFA, u jep të drejtën trajnerëve të dy skuadrave që të kërkojnë rishikimin e pamjeve. Një sistem i tillë përdoret rregullisht në sporte të tjera si basketbolli, futbolli amerikan apo hokej në fushë.

Objektivi është që të ketë më shumë lojë efektive dhe më pak ndërprerje për pritje të gjata, që bëjnë tashmë ndeshjen të mërzitshme për ata që janë në stadium apo para televizorit. Trajnerëve do u jepet mundësia që të kërkojnë dy herë gjatë ndeshjes, një variant që është testuar në Botërorin U17 dhe U20 të femrave.

Kolina ka bërë të ditur se kjo nuk do të jetë shtesë mbi VAR-in, por alternativë e tij, që do të thotë se sistemi aktual i VAR-it do të ndryshojë plotësisht nëse aplikohet rregulli i kërkesës së trajnerëve.