Manchester United nuk heq dorë nga Adrien Rabiot. “Djajtë e Kuq” insistuan gjatë verës së kaluar për të siguruar shërbimet e mesfushorit francez, por akordi u prish për shkak të kërkesave të larta financiare të mamasë së tij. Njëkohësisht menaxherja e lojtarit të Juventusit.

28-vjeçari ndodhet në vitin e fundit të kontratës me bardhezinjtë italianë. Rabiot është një nga të vetmit lojtarë të skuadrës së Max Allegrit që ka zhvilluar një sezon pozitiv.

Shtypi anglez shkruan se Erik ten Hag e pret në “Old Trafford” dhe ka urdhëruar drejtuesit e United të arrijnë një marrëveshje me mesfushorin. Por për të bindur Rabiot nuk do të jetë e lehtë, pasi lojtari ka shumë oferta.

Francezi pëlqehet shumë edhe nga Bayern Munchen, por jo vetëm. Rabiot, autor i 36 ndeshjeve me kombëtaren franceze, luan në Serie A prej verës së vitit 2019, kur u transferua me parametra zero në Torino nga PSG.

Rabiot numëron 11 gola dhe 6 asiste gjatë këtij edicioni me “Zonjën”. E ardhmja e tij është mes Anglisë dhe Gjermanisë, pasi deri tani lojtari ka refuzuar propozimin e Juventusit për të rinovuar kontratën.