Ansi Agolli ka varur prej dy vitesh këpucët në gozhdë, duke i dhënë fund karrierës së tij si futbollist. Por tashmë ai synon që të jetë pjesë e futbollit me një rol tjetër, atë të trajnerit.

Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, tashmë po siguron licencat përkatëse që të drejtojë si trajner dhe ka treguar çfarë e shtyn t’i hyjë këtij rrugëtimi të ri.

“Si çdo ish-futbollist, edhe unë, pavarësisht se jashtë futbollit bëjmë gjëra të tjera, por ajo që na tërheq më shumë, apo aty ku e ndjejmë veten më mirë është pjesa e futbollit, atë që kemi bërë gjithë jetën, që fëmijë, e deri në nivele profesioniste.

Një hap shumë i rëndësishëm në këtë pjesë është edhe marrja e licencës UEFA A, që aktualisht unë po bëj. Mendoj që është një gjë mjaft pozitive për çdo ish-lojtar profesionist, por edhe për çdo individ që aspiron të bëhet trajner, t’i bëjë këto licenca, të bëjë kurset e të vijë në kurse, jo vetëm sepse çertifikohet si trajner, por më e rëndësishmja është shkëmbimi i eksperiencave me profesionistë të tjerë që vijnë në këtë kurs dhe marrja sa më shumë e eksperiencës.

Për momentin, ky është vetëm fillimi. Prej një viti e pak kam një akademi në Neë York, rreth 200 fëmijë. Siç e thashë edhe më parë, pjesa më me pasion që bëjmë është futbolli, kështu që kurrë mos thuaj kurrë. Gjithsecili e ka një fillim dhe besoj që ky është fillimi im në një karrierë tjetër’, shpjegoi ai për faqen e FSHF.

Agolli më pas foli edhe për Kombëtaren kuqezi dhe sipas tij, grupi aktual premton që shumë shpejt të ndjekë shembullin e skuadrës së drejtuar nga De Biazi, e cila arriti deri në fazën finale të Euro 2016.

“Këto eliminatore që ekipi Kombëtar sapo përfundoi, mendoj që ka qenë një nga më të suksesshmit në 20 vitet e fundit ose më shumë. Jo vetëm sepse ekipi grumbulloi një rekord pikësh në një eliminatore botërori, por i mblodhi këto pikë me lojtarë apo një grup që ende nuk është rritur nga eksperienca.

Mendoni sikur i njëjti grup të luajë pas dy vitesh ose katër vitesh. Mendoj se skuadra e ekipit Kombëtar është në një rrugë mjaft të mirë dhe besoj në një afat të shkurtër ose të mesëm, besoj do marrë fryte edhe më të mira se sa i morëm ne në 2016.

EURO 2024? Mendoj se është e arritshme, kualiteti është aty, grupi është formuar. Duhet të kalojë pak kohë që ato futbollistë, ato lojtarë të rriten nga eksperienca, që ka shumë rëndësi. Eksperienca si individ dhe eksperienca si skuadër.

Kjo është e vetmja gjë që ata nuk e kanë siç e kishim ne në 2016. Por kjo është diçka që fitohet me kalimin e kohës. Nuk është diçka që fitohet me shkopin magjik. Kohën e kanë, grupin e kanë dhe duke u nisur nga këto eliminatore botërori, mendoj se në të ardhmen do të jetë akoma më mirë”, tha Agolli.