Edhe zyrtarisht më 1 janar ka filluar afati kalimtar i transferimeve. Në prag të hapjes tashmë janë zyrtarizuar disa lëvizjet, ndërkohë që shumë zëra po qarkullojnë për transferime të mundshme, shkruan Gazetasheshi.com.

Gjatë 24 orëve të fundit është raportuar për një shkëmbim të mundshëm ndërmjet Chelsea-s dhe Milan-it për dy sulmuesit Morata-Higuain, klubi tjetër nga Milano, Inter po ‘ëndërron’ rikthimin e Mateo Kovacic, ndërkohë që West Ham bën realiteti kalimin e Samir Nasrit.

Gazetasheshi.com ju sjell më poshtë të gjitha lëvizjet e fundit të afatit kalimtar të janarit:

Nasri zyrtarizohet te West Ham United. “Çekanët” kanë bërë të ditur që kanë arritur marrëveshje me futbollistin francez, vetëm pasi e kishin testuar. Pas dënimit për doping, Nasri rikthehet sërish në një kampionat elitar në Evropë.

Shkëmbim Morata-Higuain? Gjatë orëve të fundit është raportuar për një shkëmbim të mundshëm sulmuesish ndërmjet Alvaro Moratës dhe Gonzalo Higuain. ‘Sky Sport’ ka raportuar se Chelsea dhe Milan janë futur në bisedime për shkëmbimin e lojtarëve.

Chelsea refuzon Bayern Munich për Callum Hudson-Odoi. 20 milionë euro kanë qenë të pamjaftueshme për londinezët që kanë refuzuar ofertën e klubit gjerman për yllin anglez 19 vjeçar. Chelsea i ka kërkuar së paku 40 milionë euro bavarezëve.

‘Sky Sport’ ka raportuar për lëvizjet e para të mundshme gjatë janarit. Skuadrat nga Liga Premier pritet të jenë shumë aktive në afatin kalimtar të janarit, ndërkohë që këto pritet të jenë lëvizjet e para të mundshme në 2019:

PSG ka gati 30 milionë euro për afatin kalimtar të janarit. Klubi parisien është duke kërkuar një mesfushor dhe emri i fundit në listën e dëshirave është futbollisti i Watford Abdoulaye Doucoure.

Inter ‘ëndërron’ rikthimin e Kovacic. Siç raporton ‘TuttoSport’ neroazurët tashmë janë rikthyer nga një tjetër pistë te Madridi. Drejtori sportiv i kësaj skuadre Piero Ausilio ka deklaruar për ‘TuttoSport’ se Inter do të dërgojë edhe zyrtarisht oferë drejt Real Madrid për kartonin e futbollistit kroat.

Afatet kalimtare përfundojnë për Lewandowskin. Sulmuesi polak gjatë një interviste të dhënë për ‘Sport Bild’ ka deklaruar se dëshiron të pensionohet te skuadra gjermane Bayern Munich. Robert Lewandowski ishte ndërlidhur vazhdimisht për një kalim të mundshëm te Real Madrid.

Frenkie de Jonga ka arritur një marrëveshje me Barcelonën për pesë vite, transmeton Gazetasheshi.com nga ‘Sport Bild’. Klubi katalanas është duke pritur kompletimin e dokumentacioneve për të ‘firmosur’ me njërin ndër perlat holandeze të dala së fundmi nga akademia Ajax. Për të ishin të interesuar edhe Real Madrid e Bayern Munich.

Juventus kërkon të përforcohet me Aron Ramsey. Siç bën të ditur ‘La Gazzetta dello Sport’, gjiganti italian është i gatshëm të ofrojë deri në 30 milionë euro për futbollistin uellsian, i cili më 1 qershor mbetet pa kontratë, pasi që skadon marrëveshja e tij me Arsenal-in.

Monaco e interesuar për Pepe-n. ’10 Sport’ në Francë ka raportuar për një interesim të klubit francez për mbrojtësin portugez, i cili ka mbetur i lirë pas prishjes së marrëveshjes me klubin turk Besiktas. Për shërbimet e ish-anëtarit të Real Madrid është e interesuar edhe skuadra angleze Wolverhampton.

Manchester City rivalizon Real Madrid-in për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë të Real Betis-it, Junior Firpo, raporton ‘Daily Mirror’. Pep Guardiola ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që të transferojnë një mbrojtës të krahut të majtë urgjent, pas problemeve të vazhdueshme që ka mbrojtësi francez Benjamin Mendy me lëndimet dhe emri i Junior Firpo-s është i pari në listën e dëshirave të trajnerit spanjoll.