Paraditen e djeshme në zyrat e klubit të futbollit Vllaznia është firmosur marrëveshja në mes këtij klubi dhe atij Hajer Al hasa në lidhje me tranferimin e futbollistit Arsid Kruja. Për pikat e kësaj marrëveshje ishte rënë dakord tre ditë më parë dhe drejtuesit e klubit arab e kanë nisur atë me postë të firmosur nga presidenti i tij. Për ta sjellë atë në Shkodër kishte ardhur menaxheri Ilir Halili, i shoqëruar nga ish- zëvendëspresidenti i Vllaznisë Isuf Isufi i cili ka patur një rol të rëndësishëm në këtë transfertë.
Bashkë me ta ka qenë edhe futbollisti Kruja. Në zyrat e klubit i ka pritur administratori Neritan Kalamishi i cili e ka firmosur marrëveshjen e më pas të njëjtën gjë kanë bërë edhe futbollisti e menaxheri i tij. Me ta kryer këtë procedurë, Kruja pasdite është nisur drejt Antalias për t’u bashkuar me ekipin e tij të ri i cili është duke zhvilluar fazën përgatitore në këtë qytet turk. Por ndonëse ka bërë këtë veprim, zyrtarisht ai ende nuk është futbollist i Hajer Club Al hasa. Kjo ngaqë, sipas marrëveshjes së firmosur mes palëve, duhet bërë kalimi i 50 mijë dollarëve në llogarinë e klubit Vllaznia në mënyrë që ai më pas të japë leje- kalimin e futbollistit. Kjo procedurë do të kryhet deri të hënën dhe pikërisht atë ditë pritet mbyllja e kësaj transferte.
© shkodrasport.com