Të premten dhe të dielën do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale të “Final Four” ku do të vendoset finalja e madhe e sezonit në kampionatin “Abissnet Superiore”. FSHF si organizatore e ndeshjeve të “Final Four” ka përcaktuar edhe ndarjen e tribunave për tifozët.
Sa i takon gjysmëfinales Egnatia – Vllaznia, siç është bërë e ditur tashmë, ajo do të zhvillohet të dielën më datë 19 maj në orën 20:00, po në stadiumin “Air Albania”.
Në këtë sfidë tifozët e Egnatias do të pozicionohen në sektorin N, ndërsa tifozët e Vllaznisë në sektorin S. Në tribunën kryesore, sektorët W 101, W 102 dhe W 103 janë në dispozicion të tifozëve të Egnatias, ndërsa në sektorët W 105, W 106 dhe W 107 do të vendosen tifozët e Vllaznisë. Ndërsa tribunat e tjera do të jenë në dispozicion të tifozëve të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar.
Biletat për ndeshjet e “Final Four” mund të blihen online në ebileta.al si edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00. Ndërsa biletat me çmim promocional shiten vetëm në dy pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi”.