Ky është sezoni i dytë që në Superiore aplikohet një formulë e re, e quajtur “Final 4”, teksa me propozimin e FSHF-së për të sjellë një ndryshim në garë, të gjithë presidentët e 10 klubeve që marrin pjesë në elitë, ishin dakord dhe votuan për diçka të tillë.

Kjo formulë pati kontestime që në fillim, pasi nuk ishte e qartë dhe me “silenciator” u ndryshua nga modeli i parë, ku katër ekipet që do të përballeshin me njëra-tjetrën në fazën finale, do të kishin një sistem pikësh dhe u caktua për eliminim direkt, ku ekipi i renditur i pari dhe i dyti pas 36 javësh, ka si avantazh se me barazim kalon në finale. Në atë kohë, kjo formulë u mor si një model nga kampionate që kanë fazën “play off”, pavarësisht se Shqipëria ka krijuar një model unik në botë.

BELGJIKA- Megjithatë, një prej kampionateve që u përmend ishte edhe ai në Belgjikë, por këta të fundit kanë vendosur se nga sezoni 2026- 2027, elita do të ketë 18 skuadra dhe një renditje të përgjithshme, që në fund të 34 javëve do mësohet fituesi, skuadrat pjesëmarrëse në Europë dhe dy klubet që do luajnë një ligë më poshtë.

Ky vendim ka ardhur pas një votimi këtë të enjte nga klubet e kampionatit në Belgjikë. Ndryshimi vjen pas 16 sezonesh kur futbolli belg e zhvillonte fazën finale të sezonit me “play off”, duke ndarë skuadrat që luftonin për titullin kampion, Europën dhe klubet që rrëzoheshin. Rikthimi në formulën klasike me kampionat të rregullt është mirëpritur nga klubet, që duket se kanë mbajtur mbi shpinë një formulë që për ta nuk ka qenë aq efikase.

SHQIPËRIA- Ndërkohë për të dytin vit radhazi, skema “Final 4” po aplikohet në Superiore. Pavarësisht se çdo formulë do të komentohet përveç asaj klasikes, ndryshimi i skemës në ambientin sportiv në vend nuk është pritur shumë mirë, madje disa klube, lojtarë apo trajnerë, nuk janë shumë dakord.

Nëse ky ndryshim erdhi për të sjellë përfitime në të ardhura, si shembull nga biletat apo marketingu, në ndeshjet e “Final 4” majin e kaluar, diçka e tillë nuk pati efekt dhe nuk u arrit, si në numrin e tifozëve ashtu edhe në të ardhura për klubet. Ndoshta shprehja nga presidenti i FSHF-së Armand Duka në një dalje televizive kohët e fundit ku tha se edhe një biznesi i lihet kohë 3 vitet e para, ndoshta “Final 4” do ta shohim edhe sezonin tjetër në Superiore dhe më vonë mund të kemi një ndryshim të formulës.