Java e fundit e kampionatit shqiptar luhet sot në orën 16:00. Ndeshjet janë interesante në çdo qytet ku do luhet pasi ende ka shumë enigma për tu zgjidhur për edicionin 2022-23 në Superiore. Vllaznia nga ana e saj që është në kërkim të zonës europiane ka një duel “zjarri” në Ballsh.
Kjo pasi kuqeblutë do jenë përballë vendasve të Bylisit, që duan me patjetër fitoren për të shpresuar mbijetesën në Superiore edhe për sezonin që vjen.
E duket se ballshiotët për këtë finale kanë përgatitur edhe formacionin që do zbresi në fushë. Kështu në portë duket i paparekshëm Aldo Teqja, që ka qenë një pikë e fortë. Në mbrojtjen me 3 mbrapa do ketë hapësira për Damçevskin, Zhongo dhe Adilin.
Ku për këtë të fundit pritet një duel akoma më emocional përballë ish-skuadrës së tij. Nga krahët djathtas priten Trumçi dhe Lorran në të majtë.
Në mesfushë Esquerdinha dhe Macolli pritet të formojnë dyshen para mbrojtjes. Në sulm i sigurtë duket Kacorri, që ka kaluar një formë të shkëlqyer së fundmi. Shtatlarit pritet të ketë edhe mbështetjen e Danladit dhe Lajthias.
Ky pritet të jetë edhe formacioni titullar i mallakstriotëve ditën e sotme kundër Vllaznisë. Me një sfidë për të mos u humbur në orën 16:00, në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit.
Endri ÇINARI