Ne Shqiperi kane nisur pergatitjet per finalet e Kampionatit Europian U17 qe do te zhvillohet ne vitin 2025 ne vendin tone. Pikerisht per kete arsye, prej dites se djeshme ka mberritur per nje vizite pune nje delegacion i UEFA-s i cili ka ardhur per te inspektuar fushat, stadiumet, terrenet stervitore dhe ato te hotelerise te qyteteve ku do te luhen keto ndeshje.
Siç dihet, njeri prej kater qyteteve eshte edhe ai i Shkodres dhe per kete arsye delegacioni ka qene sot per vizite ne kryeqendren e Veriut te Shqiperise. Ai eshte pritur e shoqeruar ne kete vizite nga presidenti i Vllaznise Alban Xhaferi. Per me shume, se çfare eshte diskutuar, na e ben te ditur nje komunikate e shperndare nga vete klubi shkodran ku shkruhet:
“Në kuadër të organizimit të finaleve të Kampionatit Europian të vitit 2025 për moshën deri U-17 në Shqipëri, ditën e sotme, një grup specialistësh të UEFA-s kryen një vizitë dhe vlerësim pararak për të gjithë infrastrukturën, terrenet sportive stërvitore si dhe rrjetit të hoteleve në Bashkinë Shkodër ku pritet të qëndrojnë ekipet.
Gjatë kësaj vizite delegacioni i UEFA-s u shoqërua nga Presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, z. Alban Xhaferi i cili i prezantoi me stadiumin “Loro Boriçi” dhe terrenet stërvitore përreth.
Në përfundim të saj delegacioni i UEFA-s përgjithësisht mbeti i kënaqur nga kushtet që ofron stadiumi “Loro Boriçi” ndonëse la disa detyra për ndërhyrje në perimetrin e jashtëm dhe në brendësi të tij, kryesisht për mirëmbajtjen e fushës. Nga ana tjetër, pjestarët e këtij delegacioni u shprehën të pakënaqur për mungesën e fushave me bar natyral për stërvitje.
Për sa më sipër u lanë detyra të qarta për të realizuar investime imediate në terrene sportive dhe të kryhen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme dhe në terrenet aktuale në mënyrë që qyteti i Shkodrës t’i bëjë një pritje dinjitoze aktivitetit evropian më të rëndësishëm të vitit 2025 – Kampionatit Europian U-17, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë ku përfshihet edhe qyteti i Shkodrës”.