Finalet e Kupës së Shqipërisë në boks për të rritur, këtë vit do të zhvillohen në Shkodër. Ky është vendimi që ka marrë Federata Shqiptare e Boksit, madje janë caktuar edhe datat e zhvillimit të tyre, që do jenë më 26 dhe 27 tetor në pallatin e sportit. “Qazim Dervishi”. Objektivi i Vllaznisë sigurisht që do jetë fitimi edhe i këtij trofeu pas atij të titullit kampion të fituar muajin e kaluar. Kapiteni i këtij ekipi Nelson Hysa është i bindur se do të ndodhë kështu. Një gjë të tillë ai e ka konfirmuar në një prononcim për gazetën tonë kur ka thënë: ” “Ne nuk e kemi ndërprerë për asnjë moment stërvitjen. Jemi në formë të mirë sportive dhe po përgatitemi për aktivitetin e rradhës që është Kupa e Republikës. Këtë vit ky aktivitet zhvillohet në Shkodër në datat 26-27 tetor dhe besoj se ka për të dhuruar sfida shumë interesante. Jemi të vendosur për ta bërë tonin edhe këtë trofe sepse jemi shumë të motivuar dhe për më tepër, do të kemi edhe ndihmën e tifozëve tanë të zjarrtë”.
Stërvitja në palestrën e Vllaznisë vazhdon dhe përgatitjet bëhen jo vetëm për finalet e Kupës së Shqipërisë por edhe për tre aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare që zhvillohen muajin e ardhshëm në vendet fqinje. Boksieri Hysa është i bindur se edhe në këto aktivitete nuk do të mungojnë sukseset e boksierëve shkodranë. “Sapo jemi kthyer nga një turne në Bosnjë ku ishim shumë të suksesshëm sepse zumë tre vende të para dhe një vend të dytë. Pas finaleve të Kupës së Republikës, na presin tre aktivitete të tjera në Rajon ku besoj se sërish kombëtarja jonë e cila në shumicën e saj është e përbërë nga boksierë të Vllaznisë, do të arrijë të jetë sërish e suksesshme për të sjellë në vendin tonë përsëri medalje”. Boksierët e Vllaznisë kësisoj vazhdojnë ta nderojnë Shkodrën me trofe të shumtë kombëtarë por edhe medalje në arenën ndërkombëtare dhe ky është frut i punës sistematike që bëjnë nën drejtimin e kryetrajnerit Zef Gjoni.
© shkodrasport.com