Finalet e Kupës së Shqipërisë në boks nuk do të zhvillohen këtë fundjavë në Shkodër por në muajin dhjetor. Kështu ka vendosur Federata përkatëse e këtij sporti ditët e fundit dhe njoftimi përkatës prej pak ditësh i është bërë i ditur edhe klubeve përkatëse. Arsyeja e kësaj shtyrje ka të bëjë me pjesmarrjen e boksierëve më të mirë të vendit në dy turne të rëndësishëm ndërkombëtar që do të zhvillohen gjatë muajit nëntor. Fillimisht një grup sportistësh, kryesisht të ekipeve të kryeqytetit, do të marrin pjesë në datat 12-13 nëntor në turneun “Gongu i Artë” që zhvillohet në Shkup të Maqedonisë.

Ndërkohë, më datë 25, po të këtij muaji, në Kosovë do të zhvillohet edicioni i rradhës i turneut ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe në të pritet të marrin pjesë disa sportistë të Vllaznisë. Në këto kushte, është parë e arsyeshme që finalet e Kupës së Shqipërisë për vitin 2016, të shtyhen për muajin e ardhshmë teksa është planifikuar që ata të zhvillohen në datat 10-12 dhjetor në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në këto finale pritet të ketë sërish një rivalitet në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Tiranës. Sfida e nisur në finalet  e kampionatit në Tiranës, tashmë do të vazhdojë në Shkodër megjithëse ka një dyshim nëse ekipi kryeqytetas do të vijë me të gjithë boksierët e tij. Kampionati u shoqërua me jo pak polemika dhe sidomos ndeshja në mes Kajoshit dhe Beqirit, një ndeshje që i dha titullin kampion bardhebluve ndërkohë që akuzat nga kampi shkodran nuk kanë munguar. Për këtë arsye, tashmë duhet të presim finalet e Kupës nëse vërtetë Tirana është më mirë se Vllaznia, apo ringu do të tregojë tjetër gjë.
© shkodrasport.com