Interi është një hap larg finales së Ligës së Kampionëve. Zikaltërit arritën të fitonin 0-2 ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Milanit dhe në ndeshjen e kthimit, gjithçka është më e lehtë për ta.
Një finale e mundshme në Stamboll, do të përkthehej në të ardhura të konsiderueshme për Interin, të cilat në fillim të sezonit sa nuk imagjinoheshin. Nëse zikaltërit arrijnë në finale dhe njëkohësisht kualifikohen për në Champions sezonin e ardhshëm, në arkat e klubit mbërrijnë rreth 170 milionë euro.
Përveç fitimeve të shumta monetare, klubi p bën gati edhe dy rinovime të rëndësishme. Edin Xheko mund të mbetet në Milano edhe për të paktën një sezon, ndërkohë që prioritet është rinovimi i kontratës për Bastonin. Mbrojtësi italian ka edhe një vit kontratë me Interin por zikaltërit nuk duan të humbin kohë dhe në plan është një rinovim afatgjatë.
Mediat italiane raportojnë se palët kishin ngecur në bisedime pak javë më parë, por me situatën e fundit që skuadra po kalon, gjërat janë zhbllokuar. Interi ka shanse reale që të kualifikohet në finale dhe ta mbyllë kampionatin në Top 3.