Kanë ndryshuar data, ora dhe vendi i zhvillimit të ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë në futbollin e femrave për këtë edicion. Nuk kanë ndryshuar vetëm emrat e dy ekipeve finaliste që janë Juban Danja dhe Kinostudio. Ndonëse kishte ndonjë shpresë se mund të kishte ndonjë vendim të Komisionit të Disiplinës për një parregullsi të vërejtur në takimin Kinostudio- The Door, nuk ka ndodhur kështu dhe ekipi kryeqytetas është në finale.Ishte menduar të luhej ditën e shtunë në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 12.00 por njoftimi zyrtar është se kjo ndeshje do luhet ditën e dielë, datë 12 shkurt 2012, në orën 11.00 në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Sigurisht që vajzat e Juban Danjës janë pretendente për ta fituar këtë kupë, që do ishte edhe shpërblimi më i mirë për presidentin e këtij ekipi Ferdinand Jaku që më në fund do bënte realitet marrjen e të parit trofe zyrtar në futbollin e femrave në Shqipëri. Siç dihet ai ka krijuar të parin ekip të futbollit të femrave në vendin tonë dhe për rrjedhojë, fitimi i Kupës do ishte njëfarë shpërblimi për të. E pranon edhe vetë z. Jaku kur për gazetën online www.shkodrasport.com, do të thoshte: “KUptohet që në rast se do ta fitonim këtë punë, do ishte një sukses i bukur për të parin ekip femrash në Shqipëri, i cili do shënonte emrin e tij edhe në “Librin e Artë” të trofeve. Do ishte një shpërblim edhe për mua personalisht që kam vite që financoj për këtë ekip por edhe për vajzat që sakrfikojnë jo pak për këtë lojë të bukur. Megjithatë duhet t’ia lëmë fushës sepse ndeshje është dhe gjithçka mund të ndodhë megjithëse ne jemi përgatitur për ta fituar këtë ndeshje”.

www.shkodrasport.com