Vllaznia dhe Tirana kishin shumë shpresë dhe njëkohësisht dëshirë që Kukësi të arrinte të fitonte Kupën e Shqipërisë në mënyrë që vetë ata përmes vendit të katërt të shkonin në Europë. Por në fakt edhe kjo shpresë e tyre ka rënë poshtë. Kjo ngaqë Kukësi është eliminuar sot në gjysmëfinale nga Laçi. Pas ndeshjes së parë të luajtur në Kukës e të mbyllur në barazim 0-0, sot kurbinasit kanë fituar 2-1 duke siguruar finalen e shumëpritur. Ka qenë një shkodran ai që ka shënuar golin e parë të kësaj ndeshje, pikërisht Valdano Nimani në minutën e 32-të.
Kukësi ndërkohë do barazonte në minutën e 66-të me anë të Peqinit pas një gabimi të portierit Bakaj por sërish Laçi do shënonte golin e fitores në minutën e 78-të me anë të Çelës. Në këtë mënyrë, me këtë rezultat 2-1 është Laçi që shkon në finale. Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Bylis ka mundur 1-0 Skënderbeun dhe nisur edhe nga barazimi 1-1 i ndeshjes së parë, është skuadra ballshiote që shkon në finale. Që do të thotë se finalja është Laçi- Bylis. Pa zbehur meritën e këtyre skuadrave, sigurisht që ata kanë përfituar nga një krizë që ka pushtuar futbollin e qyteteve të mëdha si Shkodra, Tirana e Vlora, megjithatë laçianët dhe ballshiotët do jenë ato që do diskutojnë këtë trofe ndërkohë që atë të kampionatit siç dihet, e kanë bërë pronë të tyre korçarët edhe këtë sezon.
www.shkodrasport.com