Vllaznia-Skënderbeu rikthehet si çift në finalen e Kupës së Shqipërisë pas 56 vitesh mungesë. Në 1965-ën skuadrat janë përballur në finalen e Kupës, e cila është fituar 1-0 nga shkodranët me një gol të shënuar nga Selami Dani.
FSHF ka planifikuar që finalja e këtij edicioni, që është i 69-ti, të zhvillohet më datën 30 maj, pikërisht vetëm 3 ditë pas përfundimit të Kategorisë Superiore.
Stadiumi nuk është caktuar ende nga FSHF-ja, pasi në “Air Albania” mund të ketë punime për fushën dhe gjasat më të mëdha që kjo finale të luhet në “Elbasan Arena”. Skënderbeu e ka të qartë që tani se do ta vuajë mungesën e sulmuesit Elvi Berisha, i cili mori karton të kuq në takimin gjysmëfinal.
Sulmuesi Alfred Mensah është njeriu gol i këtij sezoni për Skënderbeun, qoftë sa i përket kampionatit, ashtu edhe ndeshjeve në Kupën e Shqipërisë. Shtatlarti ganez po tregon një formë mjaft të mirë, teksa në sezonin e tij të dytë me fanellën e korçarëve po udhëheq sulmin me 6 gola në Superiore dhe 4 në kupë.
Mensah është një qendërsulmues tipik, i cili krahas golave, ka ndihmuar shumë skuadrën duke marrë disa penallti dhe dhënë asiste. Sa i përket Kupës, me 4 gola si Mensah janë këtë edicion edhe sulmuesit e Vllaznisë e Laçit, respektivisht Haris Dilaver dhe Kirian Nuabueze. Ndërsa në kuotën e 3 golave është një tjetër lojtar i Skënderbeut, Elvi Berisha, që shënoi në Durrës.