Prej një jave janë përcaktuar dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra të cilat janë Vllaznia dhe Tirana AS.
Por nga ana tjetër, ajo që ka krijuar një problem tek këto dy ekipe, është fakti se Federata Shqiptare e Futbollit deri më sot nuk ka përcaktuar ende datën se ku do të luhet kjo ndeshje finale.
Por përveç datës, i papërcaktuar është dhe vendi i zhvillimit të saj. Sa i takon këtij të fundit, një alternativë ka qenë zhvillimi i saj në stadiumin “Loro Boriçi” por ajo ka rënë poshtë ngaqë ekipi kryeqytetas nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
Me shumë të ngjarë, kjo finale do të zhvillohet javën e ardhshme në “Elbasan Arena”, pikërisht të mërkurën që vjen por gjithsesi deri më tani nuk ka asgjë zyrtare.
Dy ekipet finaliste janë në pritje të vendimit të Federatës dhe kjo gjë u ka krijuar njëfarë problemi sepse mungesa e një date të zhvillimit të finales, ua vështirëson punën në stërvitje.
Vllaznia në gjysmëfinale siç dihet eliminoi ekipin e Kinostudios. Në ndeshjen e luajtur në kryeqytet, vajzat shkodrane fituan 4-1 duke siguruar kësisoj daljen në finale.
Aty ku do të gjejnë Tirana AS, ekipin tjetër finalist, i cili në gjysmëfinale fitoi në Shkodër ndaj Juban Danjes me rezultatin 5-0.
Vajzat kryeqytetase natyrisht që do të tentojnë të ndalin vrullin e Vllaznisë, skuadrës që prej 4 sezonesh fiton çdo trofe dhe me disa ndryshe që kanë bërë sivjet, ëndërrojnë këtë gjë.
Por presidenti Lazer Matija dhe vajzat e Vllaznisë vështirë se do të heqin dorë nga fitimi i Kupës së pestë rradhazi.
Përbërja që ky ekip ka, bën diferencën me çdo ekip tjetër dhe kjo pritet të reflektohet edhe në ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni.
© shkodrasport.com