Në orën 21:00 në “Air Albania” do luhet një nga ndeshjet më historike të futbollit në vendin tonë. Për herë të parë në histori, në Shqipëri do mbahet një finale e një kompeticioni europian dhe më saktë finalja e Uefa Conference League. Një ngjarje e jashtëzakonshme për vendin tonë dhe që do shohë përballë dy skuadra të njohura si Roma dhe Feyenord.
Një finale e një kompeticioni të ri dhe ku epilogu i edicionit të parë do zhvillohet në Tiranë. Përballë për trofeun e parë të këtij formati do jenë pikërisht italianët dhe hollandezët. Një ndeshje që është e lidhur edhe me Shqipërinë në një mënyrë apo tjetër. Kështu Roma në përbërje ka futbollistin me origjinë nga Malësia e Madhe, Marash Kumbulla.
E në të shkuarën një emër që ka dalë kampion me verdhekuqtë është edhe Naim Kryeziu. I aktivizuar me kryeqytetasit italianë në vitet 1939-1947. Po ashtu afërsia mes Italisë dhe vendit tonë bën që Roma të ketë ndoshta më së tepërmi mbështetjen e tifozëve shqiptarë në finale sonte.
Feyenord nga ana e vet është një nga ekipet legjendare të Hollandës. Në vendin tonë ndoshta nuk njihet edhe aq shumë apo ka aq shumë fansa, por ka lidhjet me Shqipërinë.
Kështu në sezonin 1991-92 , skuadra nga Roterdami do ndeshej me Partizanin në kupat e Europës. Takimet do mbylleshin me rezultatin 0-0 në Tiranë dhe 1-0 në Hollandë për Feyenord.
Gjithashtu në stafin e hollandezëve është edhe Robin Van Persie. Ish-sulmuesi i njohur që i shënonte në karrierën e tij kombëtares shqiptare në një fitore të Hollandës në shifrat 2-1 për kualifikueset e Euro 2008.
Endri ÇINARI