Stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit përveç finales së kategorisë së parë, asaj në mes Vllaznisë dhe Bylisit, do të presë edhe një tjetër finale. Bëhet fjalë për atë të kampionatit U19 e cila është planifikuar të luhet ditën e dielë në orën 12.00. Kështu ka vendosur Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit mesditën e sotme.
Në fakt, fillimisht u vendos që kjo finale të luhej në Pezë- Helmes por drejtuesit e klubit shkodran nuk kanë qenë dakord me një gjë të tillë dhe pas ndërhyrjes së tyre, në Federatë është vendosur që të ndryshohet stadiumi dhe është spostuar për në Durrës.
Futbollistët shkodranë kanë ditë që e presin me shumë interes këtë finale sepse e kanë bërë të qartë objektivin e tyre për ta fituar edhe këtë trofe, ashtu siç kanë fituar edhe dy të tjerët e këtij sezoni, Kupën e Shqipërisë dhe atë si Kampion i Grupit A.
Në fakt titulli kampion i Shqipërisë do të ishte i treti rradhazi për këtë ekip, çka tregon dominimin e futbollit shkodran në këtë grupmoshë. Përballë do të ketë një ekip shumë të fortë si Shkëndinë e Tiranës i cili edhe ai ka pretendimet e veta për t’u shpallur kampion. Gjithsesi do të jenë 90 minutat e kësaj finaleje që do të vendosin gjithçka.
Trajneri i ekipit shkodran Luan Zmijani e ka bërë të qartë se futbollistët që ai drejton janë shumë ambiciozë dhe duan ta fitojnë edhe këtë trofe dhe kjo është shumë pozitive. Ata kanë zhvilluar një sezon shumë të mirë dhe padyshim që do të kërkojnë ta mbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme të dielën në Durrës.
www.shkodrasport.com