Pas përfundimit të procesit të numërit të votave për kreun e FSHF, Bashkim Fino u shpreh:

“Diferenca prej 14 votash është pikërisht te votimi i shoqatave. Do të vijojmë procesin tonë gjyqësor. Ne nuk mund të ndalonim me dhunë që ata përfaqësues të shoqatave të votonin, sepse jemi njerëz të qytetëruar.

Tashmë çështja është në proces gjyqësor.

Ndërkohë i parregullt është votimi i disa klubeve që nuk kanë ekip në aktivitet. Duka fitoi pikërisht prej këtyre listave që janë bërë nga FSHF e tij.

Kjo ishte një listë e pandershme. Nëse nuk do të ishin 12 shoqatat dhe këto klube, do të ishte një garë më e fortë dhe do të shikonim cila do të ishte platforma më e mirë.

Komisioni i verifikimit lexoi një raport që ishte bërë gati nga administrata e FSHF. Ne këtë çëshjte e kemi në të mirë të futbollit.

Në këtë Asamble, duhet të votojnë ata që e meritojnë. Ne do ta çojmë çështjen në CAS, pasi të kemi respektuar vendimet e gjykatave shqiptare.

Gjithsesi, unë i urova suksese Armand Dukës, por unë do të vijoj me proceset gjyqësore. UEFA dhe FIFA është vënë në dijeni të këtyre parregullsive”, tha Bashkim Fino./vipsport/