Kandidati për kreun e FSHF-së, Bashkim Fino ka qene i ftuar mbreme në emisionin “Fair-Play” në “News 24”, ku fillimisht ka folur për fshehjen e listës së kandidatëve të Asamblesë Zgjedhore. “Kemi të bëjmë me anëtarët e Asamblesë Zgjedhore që do të vijnë të votojnë për kreun e FSHF-së dhe anëtarëve të KE-së.
Është e drejta e çdo kandidati për kreune FSHF-së, apo çdo klubi, që të njihen me listën e anëtarëve që do të jenë në Asamble. Kemi kërkuar listën e anëtarëve, edhe pasi kishte kaluar afati i publikimit të kësaj liste. Por, kemi marrë një përgjigje shuëm arrogante.
Kjo është diçka negative, sepse një kandidat, si në rastin tim, kërkon të dijë se cilët janë anëtarët e Asamblesë, në mënyrë që unë të kem mundësi të takoj dhe t’iu shpjegoj atyre, platformën time.
Duka tha se lista do të vihet në dispozicion, pas presionit tonë që publikuam këtë problem. Fshehja e listës dëmton garën. Halli nuk është tek unë, por tek ai që e sheh veten humbës”, tha Bashkim Fino në “Fair-Play” në “News 24”.
SHOQATAT- “Mendoja se FSHF-ja ishte e mirë-organizuar dhe që funksiononte ‘fair-play’. Por, jo, nuk është kështu. Me urdhër të PD-së, FSHF-ja shkoi të regjistronte 12 shoqatat që nuk ekzistonin në gjykatë . Ky ishte ‘autogoli’ i parë i FSHF-së, sepse vërtetuan që ato shoqata nuk ishin të regjistruara. Pra ishin të paligjshme juridikisht. Por, ato shoqata, para se të votojnë duhet të kalojnë në Komitetin Ekzekutiv. Ky i fundit duhe të shohë nëse janë të regjistruara në Gjykatë dhe më pas të kalojnë në Asamble Zgjedhore. Por, një gjë e tillë nuk është bërë nga Komiteti Ekzekutiv.
Deri më sot, këto shoqata kanë votuar në mënyrë të padrejtë. Kanë ardhur të votojnë disa njerëz, që kreu i FSHF-së i ka bërë disa ndere. Në fakt, krerët e këtyre shoqatave që më tregojnë mua këllqet nëpër televizione, nuk duhet të më tregojnë mua sa trima janë, por ligjit. S’kanë punë me mua, por me ligjin. Deri tani janë regjistruar dy prej këtyre shoqatave. Kanë ardhur të votojnë disa njerëz, që kreu i FSHF-së i ka bërë disa ndere. Në fakt, krerët e këtyre shoqatave që më tregojnë mua këllqet nëpër televizione, nuk duhet të më tregojnë mua sa trima janë, por ligjit. S’kanë punë me mua, por me ligjin”.
KLUBET– “Nuk është çështje frike personale e imja nëse votojnë këto shoqata. Nuk më prish mua punë numri i atyre që votojnë në Asamble. Por është çështje principi. Duhet të vijtë të votojnë ata që duhet, ligjërisht. Shënkolli dhe Orikumi që janë në aktivitet nuk kanë anëtarë votues në Asamble, ndërsa klube si Pojani, apo Vlora dhe klube të tjera nuk janë në aktivitet dhe kanë të drejtë vote për të zgjedhur kreun e FSHF-së dhe anëtarët e KE-së. Kjo listë duhet pastruar. Në momentin që unë do të jem president i FSHF-së duhet të bëj një mirë-organizim të listës. Do të jetë e publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së. Përse duhet të votojë një president klubi, kur skuadra e tij nuk është në aktivitet?”.
DUKA- “Më duken absurde levizjet që bën Duka, si përshembull takimet që i bëri publik në Berat apo në Elbasan.
Përditë në media flitet për FSHF-në dhe aktivitetet që organizon. Pra FSHF-ja i ka lënë të gjitha aktivitetet një muaj para fushate? Duka thotë që nuk duhet përdorur politika, por ishte po ai që mori Kryeministrin në krah kur inaguroi projektin për kompleksin sportiv dhe për zyrat e reja të FSHF-së.
Ishte po Duka që mori dje në krah zv.ministrin e Sportit në një tjetër aktivitet. Nëse do ta bëja unë këtë gjë, mediat do të hidheshin në ‘fyt’. Në fakt, nuk duhet të ishte Duka në krye të aktiviteteve gjatë kësaj periudhe, sepse ai është njësoj si unë, pra është një kandidat. Në krye të aktiviteteve duhet të ishte Sekretari i Përgjithshëm, sepse ai e zevendëson kreun e FSHF-së kur atij i mbaron mandati”.
ETIKA-“Në platformën time do të mbizotërojë decentralizimi dhe transparenca. Dy elemente që nuk ekzistojnë sot në këtë FSHF që kemi. Do të bëjmë një statut me rregulla bazë. Çdo komision i FSHF-së nuk do të ketë ndërhyrje nga presidenti i Federatës. Deri më sot nuk kemi parë asnjë çështje të zgjidhur në prokurori për sa i përket futbollit. Ka pasur trukime të futbollit, por Komisioni i Etikës nuk ka bërë asgjë. Komisioni i Etikës sot mblidhet me urdhër, në telefon. Komisionit të Etikës sot i thuhet përshembull që të falë Këlcyrën, sepse na duhet vota”.
GARA- “Kryetarët e bashkive nuk kanë qenë të interesuar për të votuar? Deri më dje nuk ka pasur garë, ishte garë fiktive, sepse Duka ishte vetëm, nuk kishte kandidat tjetër përballë. Ju mendoni se ishte garë e ndershme ajo e 8 viteve më parë, kur Duka kishte Refik Halilin përballë? Mendoni se një njeri si Halili që ka investuar shumë për Tiranën, do të merrte 16 vota me një garë të drejtë?”
SHKELJET-“Unë jam për kufizim të mandateve për president të FSHF-së, deri në dy mandate. Duka ka thënë pse unë nuk kufizoj mandatet e mia si deputet? E ka dhënë Drejtoria Juridike e UEFA-s e ka bërë të qartë ndryshimin e një deputeti dhe një qeveritari. Lidershipi është ai që merr vendim për listën e deputetit. Deputeti nuk aprovon dhe menaxhon të mirat materiale të fondeve publike. Ndaj nuk ka asnjë konflikt interesi në këtë pjesë për të drejtuar FSHF-në. Unë kam bërë kufizim të mandateve edhe për kryetarët e bashkive, deri në tre mandate.
Duka në fakt duhet ta kishte adoptuar sa më shpejt idenë për të kufizuar mandatet. Statuti i FIFA-s thotë: Neutralitet dhe jo diskriminim. Duka ka adoptuar në statutin tonë: Federata është asnjanëse në çështjet politike dhe fetare. Kjo nënkupton se ai që zgjidhet në krye të FSHF-së ose si anëtar i KE-së duhet të jetë asnjanës në çështjet politike dhe fetare. Pra deri tani unë jam kandidat dhe nuk ka asnjë të drejtë të më paragjykojë askush. Nga momenti që unë do të jem në krye të FSHF-së, do të jem totalisht i përqendruar te futbolli dhe pozicioni që do të mbaj.
Nëpër botë ka shumë raste kur presidentët e Federatave të Futbollit kanë qenë politikanë, ose ndërkohë që janë në krye të Federatës mbajnë pozicionin e tyre si në politikë. Pyetja është: A është përdorur FSHF-ja për politikë? Kjo pyetje duhet t’i bëhet Armand Dukës, jo mua. Unë ende nuk jam bërë president i FSHF-së. Në fakt, Duka ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Agrare, që drejtohet nga vëllai i tij. Kreu i FSHF-së ka qenë së bashku me kupolën drejtuese të FSHF-së në këtë konventë. Gjithashtu, Duka ka qenë edhe në Ersekë, kur kishte zgjedhje të parakohshme dhe bënte takime për kandidatin e vendosur nga partia e vëllait të tij. Pra ka shfrytëzuar postin e Federatës dhe nuk ka zbatuar statutin. Ka shkelur ligjin. Këto gjëra ne ia kemi dërguar edhe UEFA-s”.
ARDHJA E DUKËS– “Duka erdhi në krye të FSHF-së nga fusha e biznesit. Por, e solli Fatos Nano, pra e solli politika para 16 vitesh. Duka nuk duhet të hapë gojën për politikë, sepse ka ngrënë nga të gjitha krahët. U sulmua nga Berisha, por më pas u bënë miq. LSI-ja po bën presion që kryetarët e bashkive që ka kjo forcë politike, të votojnë për Dukën.
Shumica e klubeve të qyteteve që kanë kryebashkiakë të PS-së, tashmë janë kthyer në SH.A. dhe kanë presidentë, si përshembull Tirana, Apolonia, Skënderbeu dhe shumë të tjera.
Unë nuk ankohem që Takaj do të votojë për Dukën dhe që del andej këtej, ashtu siç del ai presidenti i Laçit po për Dukën. Ndërkohë që që Duka ankohet për dy ministra. Andi Zëre financier i një partie, është i pënësuar nga Duka në FSHF. Pra Duka po përdor politikën”.
LIGA PROFESIONISTE- “Liga Profesioniste është e domosdoshme për t’u bërë. FSHF duhet të asistojë, jo të ndikojë. Është një organ që vendoset nga presidentët e klubeve. Unë nuk jam për një Ligë Profesioniste me 10 skuadra. Ligë Profesioniste të ketë Superliga dhe Kategoria e Parë. Nga Kategoria e Dytë e më poshtë do të jenë pjesë e Ligës Amatore. Ne do të bëjmë maksimumin që kjo Ligë të ketë ecurinë e vet. Presidentët e kësaj lige le ta vendosin vetë dizenjatorin e gjyqtarëve. Kjo gjë duhet të ishte bërë”.
GJYQTARËT– “Nëse presidenti i FSHF-së bëhet palë me klubet, siç bëhet Duka, punët nuk do të ecin mirë. Unë nuk kam asnjë dëshirë të merrem me gjyqtarët për të paracaktuar ndeshjet. Gjyqtarët do të kenë të gjitha të drejtat e tyre sipas statutit të FSHF-së. Por, nëse do të vendosin ndeshje, do të përballen me ligjin. Ai gjyqtar që vlerësohet maksimalisht në një ndeshje jashtë Shqipërisë, këtu mund të bëhet palë me një klub futbolli dhe e bëjnë ndeshjen siç e duan. Një gjyqtari të mirë i pranohet një gabim njerëzor, por jo një gabim i komanduar nga lart. Nëse nuk ka gabime të komanduara nga lart, nuk ka as dhunë ndaj arbitrave”.
KOMITETI EKZEKUTIV– “Për sa i përket kandidatëve të Komitetit Ekzekutiv, me ato klube që kam folur, kanë vendosur personalitete. Në fakt, ky Komitet Ekzekutiv që ekziston tani nuk merr asnjë vendim, sepse i merr Duka i vetëm. Unë do punoj në ekip. Nuk dua që FSHF të personifikohet me emrin tim vetëm. Dua të bëj ‘revolucion’, të ndryshoj rregulloren e Asamblesë, do ndryshoj statutin”.
IDEJA– “Ne do shohim mundësinë të heqim 10%-shin që shteti ia merr FSHF-së nga të drejtat televizive. Por, nëse një gjë e tillë nuk është bërë deri më sot, nuk është bërë edhe për faj të FSHF-së, e cila nuk ka lobuar për t’u hequr ky detyrim. Në Kuvendin e Shqipërisë ka shumë deputetë që e duan sportin dhe që mund ta miratonin këtë ligj. I pari do të ishte Fidel Ylli”.
ZGJEDHJET– “Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së është përgjegjësi kryesor për zgjedhjet në Asamblenë Zgjedhore më 7 shkurt. Kjo pasi Armand Duka justifikohet me idenë që është kandidat, edhe pse urdhëron Shulkun. Ky i fundit ka bërë një komision të verifikimit të mandateve me persona ku askush prej tyre nuk është jurist. Si mund të verifikojnë ata vlefshmërinë e mandateve kur nuk janë juristë? Ka ndodhur më parë që këta persona kanë hedhur firmën pa e parë fare se çfarë është shkruar atje”.