Fiorentina po mendon seriozisht për transferimin e mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla. Ky i fundit shikohet te skuadra vjollcë si zëvendësuesi ideal i Nikola Milenkovic, i cili me shumë gjasa do të largohet drejt Interit.

Mbrojtësi shqiptar është në kontratë me Romën, por nuk ka gjetur mjaftueshëm hapësira nën urdhrat e Mourinhos. Kumbulla po shqyrton mundësinë për t’u larguar, teksa Fiorentina nuk është i vetmi klub i interesuar.

Së bashku me ekipin e Italianos, shërbimet e Marash Kumbullës po i kërkon me ngulm prej disa kohësh edhe ish-trajneri i tij, Ivan Juriç. Ky i fundit është në krye të stolit të Torinos dhe një nga objektivat për të zëvendësuar Bremer, është Marash Kumbulla.

Braziliani u transferua te Juventus pak ditë më parë dhe Torino e sheh Marash Kumbullën si mbrojtësin e duhur për ta zëvendësuar atë. Problemi i vetëm është se, Roma nuk dëshiron të heqë dorë nga shqiptari.

Lëshimi i vetëm që mund të bëjë për Fiorentinën ose Torinon, është huazimi për një sezon pa të drejtë blerjeje. Në vazhdim, mbetet për t’u parë edhe e ardhmja e mbrojtësit të Kombëtares, Marash Kumbulla.
Maringlen ZHIVANI