Paraqitjet e mira me Empolin në Serinë B por mbi të gjitha edhe thirrjet e fundit dhe aktivizimi në Kombëtaren shqiptare, ia kanë rritur së tepërmi vlerat mbrojtësit 19 vjeçar shkodran Elseid Hysaj. Më parë në radhë ishin Kievo, Xhenoa, Katania; tani është edhe Fiorentina. Paraqitjet e mbrojtësit të Empolit në Serinë B dhe të përfaqësueses së Shqipërisë, 19 vjeçarit Elseid Hysaj nuk kanë ngelur pa u vënë re në futbollin italian. Siti pranë klubit të Empolit, pianetaempoli.it shkruante dje se futbollisti shqiptar ka përfunduar në listën e dëshirave të trajnerit Montela, për sezonin e ardhshëm. “Lojtari i datëlindjes 1994 po tërheq prozhektorët drejt tij. Janë disa klube të rëndësishme të Serisë A që po e ndjekin. Më parë ju kemi folur për Xhenoan, Kievon apo Katanian. Tani ka zëra përherë e më insistues, se klubi i Fiorentinës ka shënuar Elseidin në bllokun e shënimeve. E vështirë që lojtari të lërë Empolin që në merkaton e verës, por me siguri që kjo hapësirë merkatoje do të jetë e nxehtë edhe për të. Empoli për momentin nuk është e interesuar të shesë të gjithë kartonin e lojtarit, por mund të diskutohet për gjysmën e tij”, shkruan pianetaempoli.it. Në këtë mënyrë me shumë mundësi, sezonin e ardhshëm ky futbollist do jetë në një skuadër tjetër, këtë herë në Serinë A dhe kjo është një nisje e shkëlqyer e karrierës për të.