Skuadra e Fiorentinës ka hedhur sytë nga talentet e përfaqësueses së Kosovës dhe duket se ka piketuar një të tillë për ta afruar që në merkaton e janarit. Prej disa muajsh, emri i Arbër Zenelit ka qarkulluar në ambientet e klubit të Serisë A, por duket se rezultatet e fundit të skuadrës, që nuk po shfaqet në nivelet e kërkuara për të luftuar për Europën, duket se mund të afrojnë një marrëveshje me futbollistin që pritej në verë.

Zeneli ka shkëlqyer në sezonet e fundit me Herenven, ashtu si me përfaqësuesen e Kosovës, ku ka qenë pjesë e rëndësishme e grupit që siguroi pjesëmarrjen në play-off të Euro 2020 nëpërmjet Ligës së Kombeve. Pikërisht paraqitjet me Kosovën ishin ato që tërhoqën më shumë. Ai ka shënuar 6 gola në 7 ndeshje me përfaqësuesen gjatë vitin 2018, mes të cilëve 2 golat kundër Shqipërisë.

Kontrata e lojtarit me klubin holandez mbyllet në fund të këtij edicioni, ndaj transferimi i tij është mëse i mundshëm në verë kur shpallet lojtar i lirë.

Gjithsesi, te Fiorentina kanë ngut të afrojnë lojtarë sa më cilësore, ndaj nuk do të presin verën për të afruar futbollistin e talentuar. Sipas mediave italiane, klubi i Serisë A pritet që t’i ofrojë një kontratë futbollistit që në janar dhe t’i paguajë Herenven një shifër jo shumë të lartë për të siguruar kartonin e tij, pa pritur që ai të mbyllë marrëveshjen ekzistuese me holandezët. /vipsport/