Vllaznia e basketbollit të meshkujve vazhdon të mbushet me amerikanë. Pas Malik Cartr që është pjesë e saj që në nëntor dhe Javis Hoëard që ka firmosur më 31 dhjetor, ka ardhur edhe një tjetër firmë nga një basketbollist i këtij vendi. Bëhet fjalë për Christian Bradford.
Lojtari që luan në pozicionet 1 dhe 2 kishte disa ditë në stërvitje me kuqeblutë dhe në fund e ka bindur stafin teknik për vlerat e tij. Kësisoj drejtuesit e klubit kanë firmosur kontratën me të duke e konsideruar tashmë zyrtarisht pjesë të Vllaznisë.
Por përforcimet me sportistë nga kontinenti i largët nuk do të mbyllen me sa duket këtu. Ka mbërritur sot në Shkodër një tjetër amerikan, pikërisht Leo John Svete. Edhe ai fillimisht do të jetë në provë për disa ditë dhe nëse e bind trajnerin Plantak, edhe me të do të firmoset kontrata.
Por përveç basketbollistëve amerikanë, tek ekipi shkodran dy ditët e fundit kanë qenë në provë edhe dy malazezë por ata duket se nuk kanë bindur dhe për këtë arsye janë larguar. Në ditët e ardhshme mund të ketë të tjerë lojtarë të huaj që do të vijnë në provë.
Objektivi i drejtuesve të Vllaznisë është i qartë: Ata duan të gjejnë basketbollistët e duhur me të cilët të arrihet qëndrimi në kategori fillimisht dhe më pas mund të synojnë edhe për më shumë.
© shkodrasport.com