Behar Ramadani është lojtari më i ri i Flamurtarit. Administratori Sinan Idrizi ka bindur mesfushorin 31 vjeçar shkodran, që më herët ka mbajtur veshur fanellat e Tërbunit, Luftëtarit apo edhe Vllaznisë në Superligë.
Kanë qenë vlonjatët ata që kanë prezantuar lojtarin, ndërsa më herët kanë firmosur Bicaj, Licaj, Gocaj, Moçka dhe Ribaj. Pranë rikthimit edhe Sukaj. Flamurtari luan sezonin e ri në Kategorinë e Dytë.
Pas marrjes sërish në administrim për dy vite klubin e futbollit, administratori Idrizi ka nisur të paguajë borxhet ndaj lojtarëve që kanë qenë nën kontratë, duke zhbllokuar edhe merkaton e kuqezinjve.
Tanimë afrimet po bëhen dita-ditës, me Flamurtarin që merr emra të rëndësishëm edhe pse luan në të Dytën. Mesa duket ngjitja në Kategorinë e Parë do jetë një formalitet në sezonin e ri.