Krijimi i Ligës Profesioniste ishte një nga lajmet e bujshme të këtij fundviti në futbollin shqiptar. Ndonëse të gjithë klubet kanë rënë parimisht dakord për krijimin e saj, skepticizmi në radhët e presidentëve të ekipeve të Superligës është në nivele të larta. I pari që e ka shprehur publikisht këtë është Sinan Idrizi, Administrator i Flamurtarit.

“Pse nuk thoni ju se cila është gjendja e ekonomisë shqiptare të futbollit?! Ekonomia shqiptare është një ekonomi që nuk prodhon. Ku është ndryshimi midis një bakteri dhe një virusi?! Më pas flasim bashkë, Liga Profesionsite apo Superliga. Ekonomia shqiptare nuk prodhon, sepse që të prodhojë duhet të ketë një ekonomi, duhet ligj për sportin”-shprehet Idrizi.

Ai shkon më tej kur thotë se krijimi i Ligës Profesioniste nuk do të ndryshojë asgjë në futbollin shqiptar. Sipas, Sinan Idrizit, krijimi i saj do të sjellë vetëm një menaxhim më të mirë të disa të ardhurave që krijohen nga reklamat.

“Kjo nuk do të mbushë stadiumet. Kjo do krijojë diçka më plus ndoshta në menaxhimin e një të ardhure, që nuk e kanë bërë mirë këta shokët e federatës. Por idea nuk është kjo, idea është që ne nuk kemi ekonomi futbolli. Ekonomia e futbollit është ekonomia e pestë në botë. Në Itali është ekonomia e tretë kur flasim në strukturën e ekonomisë së futbollit”-thotë Sinan Idrizi.

Zgjidhja është Ligji për Sportin, që sipas Sinan Idrizit, do u jepte mundësi investitorëve në futboll të shmangin taksat ndaj shtetit, pasi ato para që paguhen për tatimet, do të jenë në arkat e klubeve.

“Nëse ne bëjmë sot Ligjin e Sportit, të jeni të sigurtë që bankomatet e klubeve do të funksionojnë në kohën e duhur pa humbur asnjë moment. Nuk do të kemi më probleme me pagesat”-shprehet numri një i Flamurtarit.

Për suksesin e këtij ligji, Idrizi sjellë në kujtesë rastin e Kosovës, që e ka bërë më herët se Shqipëria.

“Kosova të jep një shembull, të thotë unë 30% të TVSH-s e shkarkoj në sport. Deri ditën që flasim, unë si kompani kam investuar 10.7 milion euro. Unë e kam votuar krijimin e Ligës, por e përsëris, që është ndryshimi mes bakterit dhe virusit. Ky ndryshim është krijimi i Ligës Profesioniste me ligën që është sot. Nuk ka asnjë ndryshim tjetër. Flamurtari votoi “pro” krijimit të Ligës sepse është “pro”, por kjo Ligë nuk jep”.

Sezonin e shkuar Flamurtari nuk u liçensua për të marrë pjesë në Ligën e Europës. Aludimin se shkak ishin pagat e lojtarëve dhe gjyqet e humbura, e ka hedhur poshtë Sinan Idrizi, që tregon se shkak i vërtetë i mos liçensimit sezonin e kaluar ishin detyrimet ndaj tatim-taksave.

“Një ekonomi që nuk prodhon, nuk ka një klub që ka në bilancin e tij diçka pozitive përveç se të ardhurat që mund të jenë nga kupat e Europës. Nuk rrezikojmë liçensimin këtë sezon. Vjet nuk jemi liçensuar për pagat, por për shkak të tatim-takasave, sepse unë kam 1.6 miliardë lekë të paguara tatim-taksave”-pohon administratori i klubit vlonjatë.

Pagat e vonuara të lojtarëve aktualisht janë një problem që nuk e mohon, mirëpo, sipas Sinan Idrizit, lojtarët e Flamurtarit kanë marrë të gjithë 30% paradhënie gjatë nënshkrimit të kontratës./telesport/