Luan sezonin e saj të parë me Vllazninë dhe në fund padyshim është ndjerë mirë. Ka fituar dy trofetë e parë në karrierën e saj dhe kjo e ka bërë të ndihet mjaft mirë. Esi Lufo, sulmuesja shtatëlartë e kuqebluve kontribuoi edhe në finalen e para dy ditëve në Elbasan kur shënoi golin e parë për Vllazninë, gol që i hapi pastaj rrugën fitores 4-0 të saj.

Ndonëse është shtatëlartë, ajo në fakt ka shënuar këtë herë me këmbë sepse shfrytëzoi një top të mbetur në zonë pas ekzekutimit të goditjes së këndit nga Doçi. Duke folur për “Shkodra Sport” pas marrjes së medaljes si fituese e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2019-2020, Lufo shprehet e lumtur për këto arritje të para:

“Për mua janë emocione të papërshkrueshme, pasi si kampionati ashtu edhe Kupa e Shqipërisë janë hera e parë për mua që i fitoj dhe normalisht që emocionet janë të papërshkrueshme në këto momente. Nuk kishte si të ndodhte më mirë. Kjo erdhi falë faktit që unë jam pjesë e Vllaznisë, ekipit më të mirë në Shqipëri

Një arsye gjithmonë edhe për të fëstuar është edhe hapja finales me golin tim, por e gjithë puna është e grupit dhe golat e mi, po ashtu golat e skuadrës janë të gjithë puna e ekipit tonë. Në këto suksese që kemi arritur, merita është e të gjithëve dhe besoj se sukseset kanë për të vazhduar edhe në të ardhmen”.
www.shkodrasport.com