Fitorja me Çekinë dhe Bullgarinë ka bërë që Kombëtarja kuqezi të fitojë tre pozicione në renditjen e FIFA. Tanimë kuqezinjtë pritet të jenë të 59 në botë, duke u ngjitur me tre hapa, nga vendi i 62 ku ishin në renditjen e muajit të shkuar.

Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare, mediet e ndryshme evropiane kanë publikuar edhe renditjen që pritet të zyrtarizohet nga FIFA më datën 26 tetor. Kështu, triumfi 3-0 kundër Çekisë për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E dhe fitorja 2-0 kundër Bullgarisë në miqësore, kanë bërë që tanët të ngjiten me 20 pikë dhe të fitojnë tre pozicione.

Pozicionimi më i mirë historik i kuqezinjve është regjistruar në korrik të 2015 në pozitën e 22. Kur Sylvinho mori drejtimin e Shqipërisë e gjeti ekipin në vendin e 66.

Braziliani e ka drejtuar Kombëtaren në shtatë takime, duke marrë pesë fitore, një barazim dhe një humbje. Kujtojmë se kuqezinjtë kanë gjashtë ndeshje radhazi pa humbje dhe janë me 99.99 përqind në finalet e Euro 2024, si kokë grupi.