Ndeshjet e tjera të javës së 14-të të Superligës shqiptare kanë dhuruar të tjera rezultate befasuese dhe aspak në favorin e Vllaznisë. Dy prej ekipeve që mendohet të jenë mbase rivale të saj, pikërisht Laçi dhe Luftëari, kanë fituar ndoshta në mënyrë të befasishme ndaj dy ekipeve të kreut të renditjes, Skënderbeut dhe Kamzës. Goli i uzunit në fillimin e pjesës së dytë i ka dhënë fitoren kurbinasve ndaj kampionëve në fuqi dhe me këtë trepikësh ata pozicionohen në një vend komod në renditje.

Sakaq, disi më dramatike ka qenë ndeshja në Kamëz. Rastet e njëpasnjëshme të të dy ekipeve janë konkretizuar vetëm në fund kur Rroca në minutën e 93-të ka shënuar për gjirokastritët duke i dhënë një trepikësh me shumë vlerë ekipit të tij. Fitore kjo që e ngjit Luftëtarin në kuotën e 13 pikëve dhe kësisoj lë në vendin e nëntë të renditjes ekipin e Vllaznisë me një pikë më pak ndërkohë që në vendin e fundit është Lushnja me 8 pikë. Kjo situatë padyshim që e vështirëson edhe më shumë ecurinë e skuadrës shkodrane në vazhdim të kampionatit dhe për këtë arsye, i duhet patjetër që të ndryshojë kurs sepse ndryshe do të jetë vonë.

© shkodrasport.com