Përmbysje e vuajtur e Barçës, e cila e nisi vitin 2024 me ndjesi kontradiktore. Lojë e parregullt, por reagim kampioni në pjesën e fundit të ndeshjes për të siguruar tri pikë jetike. Xavi Hernández kishte paralajmëruar tashmë për rrezikun që paraqiste UD Las Palmas, e cila kaloi në avantazh, por Barça ishte në gjendje të rikthehej në lojë dhe të fitonte “in extremis”. Trajneri Blaugrana vuri në pah karakterin e lojtarëve të tij, të cilët “kuptuan se çfarë duhej të bënim në pjesën e dytë”.

Përsa i përket “arratisjes” së kryesuesve të La Liga-s në rast disfate të të tijve, Xavi nuk e mori mirë këtë pyetje dhe u përgjigj: “Ju gjithmonë bëni supozime negative, nuk shoh se çfarë ndodh me trajnerët e tjerë. Mund ta pyesni veten më parë, por pasi të përfundojë ndeshja, kjo qasje e mediave është absurde. Sigurisht që jemi në luftë për La Liga-n, jemi kampionët në fuqi. Më tepër respekt për kampionët aktualë”.

Në lidhje me mënyrën e fitores me vuajtje, Xavi donte të kujtonte se si ishte kjo xhiro e kampionatit spanjoll: “Girona fitoi në minutën e fundit, po ashtu edhe Real Madridi. Sot pamë se sa kushton të mundësh Almerían, kështu që duhet të jemi të vetëdijshëm se askush nuk fiton lehtë”.

Xavi nuk i fshehu gabimet e pjesës së parë, edhe pse e kishte më shumë theksin te përmirësimi pas pushimit: “Na mungoi koha në pasimin e fundit, vetëm De Jong ishte korrekt në një pasim që liroi Sergi Roberton. E kishim përgatitur me ushtrime shumë specifike ndeshjen, ne ishim të qartë se si ta kapërcenim qasjen e Las Palmas. Kështu ishte pjesa e dytë”.

Trajneri nga Egarense ka befasuar, duke thënë: “Prisja më shumë dominim nga Las Palmas, sonte loja ishte në hapësirat që ata lanë pas. Ne ishim stërvitur për të kërkuar pasimin e thellë”. Xavi nuk donte të bënte shumë autokritikë: “Ne e merituam fitoren, në pjesën e dytë nuk u rrezikuam në asnjë rast dhe bëmë një hap përpara”.

Xavi u përpoq të gjente lexime pozitive të ndeshjes: “Askush nuk ishte rikthyer nga disavantazhi kundër Las Palmas, kjo përbën meritë. Në pjesën e dytë ishte shumë e qartë se çfarë duhej të bënim: të shmangnim rënien në pozicion jashtë loje, të mos abuzonim me pasimet horizontale dhe ta jepnim si duhet pasimin e fundit. Jam i kënaqur me qëndrimin dhe lojën në pjesën e dytë”./telesport/