Real Madridi vuajti, por fitoi 3-2 kundër Leganés, falë Mbappé, i cili me dopietën e mbrëmshme personale arriti në 33 gola sezonalë, po aq sa Cristiano Ronaldo dhe Van Nistelrooy në sezonin e tyre të parë me “Los Blancos”.

Trajneri Carlo Ancelotti, pas ndeshjes, u shpreh i kënaqur me tri pikët që i mundësuan Realit të kapë, të paktën përkohësisht, Barcelonën në krye të La Liga-s:
“Nuk bëmë një ndeshje të keqe. Na mungoi ekuilibri, por e kishim nën kontroll lojën. Kjo mungesë ekuilibri solli disa kundërsulme të rrezikshme nga Leganés. A vuajtëm? Nuk më kujtohet një ndeshje ku nuk kemi luftuar. Mendoj se duhej ta menaxhonim më mirë avantazhin tonë dhe në rezultatin 3-2 nuk duhej të kishim vuajtur kaq shumë”.

Sa i përket ankesave të Leganés-it për arbitrimin, ai u përgjigj: “Nëse ankohen ata, mund të ankohemi edhe ne”.

Për Kylian Mbappé: “Po luan shumë mirë, është shumë aktiv dhe shumë më i përshtatur me lojën e ekipit tonë. Po bën diferencën”.

Lufta Barcelona-Real Madrid për titullin e La Liga-s: “Edhe Atletico Madridi do të luftojë deri në fund, sepse kjo është ajo që bën një skuadër profesioniste. Është një skuadër shumë serioze dhe do të luftojë njësoj si ne e Barcelona”./telesport/