Teuta arriti fitoren e dytë në kampionat ditën e djeshme për këtë edicion të Superiores. Durrsakët mposhtën në transfertë ekipin e Kukësit me rezultatin 0-1. Sukses që mungonte që nga java e 8-të në duelin kundër Egnatias triumfuan me rezultatin 1-2. Dhe ky një 3 pikësh që jep frymëmarrje për “djemtë e detit”.

Nën drejtimin e Edi Martinit tashmë, detyra e vështirë është ti largohen fundit të tabelës, në një kampionat që duket shumë rivalizues. E ndeshja e parë për teknikun shkodran ishte shumë pozitive, duke marrë pikët e plota në një transfertë të vështirë si kjo kundër Kukësit. Vendimtar patjetër me golin e tij ishte Lorenco Vila, që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 61-të të ndeshjes.

Por një meritë të veçantë kishin edhe futbollistët shkodranë të durrsakëve. Kjo pasi do ishte Rubin Hebaj që do niste aksionin e golit. Sulmuesi “shpiku” një pasim mes shumë futbollistëve në krah për Ildi Gruden. E do ishte sulmuesi tjetër shkodran që do shërbente në mënyrë shumë të saktë për Vilen. Ku durrsaku u tregua shumë “klinik” duke dërguar topin pas shpatullave të Brozit.

Një sukes me “aromë” shkodrane për Teutën, që në sezonet e fundit ka pasur në gjirin e saj shumë futbollistë nga qyteti verior. Duket se edhe kthimi i Martinit, që e njeh mirë ambientin ka karikuar në maksimum futbollistët. Të cilët në mbyllje të këtij viti futbollistik do i presin dy sfida akoma më të forta. Ajo me Tiranën në javën e 14-të dhe transferta me Vllazninë në raundin e 15-të.
Endri ÇINARI