Robert Levandovski, së bashku me Rafinjën dhe Lamin Jamal kanë qenë protagonistë absolutë në triumfin 1-5 të Barcelonës në “La Ceramica” kundër Vijarrealit.
Polaku ka shënuar dy golat e parë të Barcelonës, që i kanë shtruar rrugën suksesit të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flik. Duke folur për ndeshjen, Levandovski ka deklaruar se ky triumf shkon për kapitenin Mark Andre Ter Shtegen, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në gju në fundin e pjesës së parë.
“Ne e dimë se duhet të jemi të durueshëm, por pavarësisht se kemi lojtarë të rinj, ne e dimë se si duam të luajmë, kështu mësojmë nga ekipi i të rinjve. Ne gjithmonë mendojmë dhe kërkojmë se si të luajmë më mirë dhe të përpiqemi të shënojmë gola. Sa për kapitenin Ter Shtegen është e vështirë të thuash diçka. Ai është në spital, por shpresoj… Nuk e di. Është e vështirë të flasësh për të. Por kjo fitore është për të”, tha sulmuesi.
Leva ka folur edhe për ecurinë e tij para portës në këtë sezon, ku me 6 rrjeta është golashënuesi më i mirë në La Liga.
“Në këtë sezon ne kërkojmë më shumë pasime ose krosime në zonë dhe kjo është zona ime. Tani mund të kem shumë më tepër kontakt me topin”, komentoi ai.