Vllaznia ia doli ta niste me fitore sezonin e ri 2024-25 në Superiore. Shkodranët triumfuan në transfertë kundër Partizanit. Ku gjithçka e vendosi një gol i shënuar nga Rejan Alivoda në minutën e 30-të të ndeshjes. Një nisje me fitore që patjetër ngre moralisht skuadrën e drejtuar nga Brdaric.

Megjithëse niveli i lojës nuk ishte shumë i lartë nga ana e të dyja skuadrave. Ajo që ka rëndësi në ndeshjet e para të kampionatit është fitorja. Dhe Vllaznia e arriti duke treguar në njëfarë mënyre edhe forcën dhe karakterin e saj. Kjo pasi shkodranët u paraqitën kundër Partizanit me 3 mungesa të rëndësishme në formacion.

Duke nisur nga mesfushorët Krymi dhe Kahrimanoviç, që shikohen si titullarë të këtij sezoni. Po ashtu një mungese titullari ishte edhe Idli Gruda, me sulmuesin që po vuan ndalesën që nga fundi i sezonit të shkuar. Edhe Bajrami po ashtu ishte një mungesë e takimit të djeshëm, por ai ende nuk mund të konsiderohet si një futbollist titullar i skuadrës.

Pavarësisht mungesës së këtyre futbollistëve, ata që ishin dje në fushë kundër Partizanit i zëvendësuan në mënyrë të shkëlqyer. Duke arritur kështu fitoren e parë sezonale në një transfertë mjaft të fortë siç është ajo kundër Partizanit. Në këtë mënyrë duke i treguar trajnerit Brdaric që janë një siguri në këtë start edicioni.

Endri ÇINARI