Bekim Rexhepi ishte gjatë gjithë kësaj jave në qendër të kritikave për gabimin e bërë në derbi ndaj Tiranës, por fatmirësisht të gjitha këto duket se kanë ndikuar pozitivisht te 25-vjeçari, pasi ndaj Vllaznisë me pritjet e tij shpëtimtare i dha skuadrës së tij fitoren e parë pas tri vitesh në Shkodër. Ai foli për “Panorama Sport”, ku tregoi vështirësitë dhe besimin, që i kanë dhënë shokët dhe trajneri.

Shkëlqyet ndaj Vllaznisë. E keni kompensuar pas atë humbje në derbi?

Pas këtyre dy ndeshjeve të vështira, siç ishte në javën e shkuar, por edhe kjo e sotmja, që ishte një tjetër ndeshje e vështirë dhe e fortë, gjeta forca të reflektoj. Kam bërë një punë të mirë profesionale.

Pritej një zëvendësim me Hoxhën, por tekniku ju dha sërish besimin. Jeni i kënaqur?

Kur trajneri të jep vetëbesim është diçka shumë pozitive dhe morali nga ana ime ngrihet akoma më shumë. Ishte puna ime më pas për të dhënë maksimumin dhe t’ia shpërblej teknikut e shokëve të ekipit, që më kanë përkrahur deri në momentin e fundit. E falënderoj edhe një herë trajnerin për besimin.

A jeni ambientuar tashmë me futbollin shqiptar dhe si ndiheni te Partizani?

Jam adaptuar shumë mirë tani në këto dy vite në futbollin shqiptar. Shpresoj që te Partizani të jemedhe më mirë dhe të vazhdoj të bëj më të mirën time.

Pas ndeshjes gardiani i Partizanit foli edhe për “OverSport”, ku tregoi se pritja në fund e goditjes me kokë të Shehit ishte më e bukura dhe u shpreh se pavarësisht se çfarë ka ndodhur, ai do të vazhdojë me kokën lart.

“Kur vjen nga një gabim i tillë, duke pasur parasysh edhe që është derbi, normale është e vështirë. Por besoj se çdo profesionist e kupton kur ka momente me ulje e ngritje.

Unë e kam marrë me qetësi, ka qenë e vështirë, por e kam kaluar me qetësi. Në këtë ndeshje besoj se pritja e fundit është më e lezetshme. Unë mund të them që do të jap maksimumin në çdo ndeshje.

Në futboll përjetohen gëzimet dhe gabimet. Do të rri me kokën lart dhe do të jap maksimumin për Partizanin”, theksoi Rexhepi.